Universiteti i Prishtinës po përballet me një rënie të ndjeshme të interesimit nga maturantët për regjistrim në vitin e ri akademik. Sipas të dhënave zyrtare, për 5,723 vendet e ofruara në konkursin për pranimin e studentëve të rinj, kanë aplikuar vetëm 3,398 të rinj.
Lajmin e ka konfirmuar Prorektorja për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore, Majlinda Gjelaj, e cila ka theksuar se kjo situatë po shqyrtohet seriozisht nga institucionet akademike të UP-së, me synimin për të analizuar nevojat reale të tregut të punës dhe për të përshtatur programet në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe sociale.
“Po vazhdojnë provimet pranuese në 14 njësitë akademike të UP-së. Interesimi është i ngjashëm me vitin e kaluar, por në krahasim me vitet paraprake, ka një rënie. Kemi vërejtur se kjo rënie është më e theksuar në programet më klasike si Ekonomiku, Juridiku dhe Edukimi,” ka deklaruar Gjelaj për Radio Kosova.
Sipas saj, të rinjtë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt fushave që ofrojnë punësim më të shpejtë dhe kualifikim praktik, me theks të veçantë në shkencat teknike, teknologjike dhe mjekësore. Kjo prirje është në përputhje me trendet e ngjashme në shtetet tjera të Evropës dhe botës.
Programet më të kërkuara këtë vit janë:
Inxhinieria Kompjuterike, ku për 250 vende kanë aplikuar 500 kandidatë,
Mjekësia, me 1,000 aplikime për vetëm 200 vende.
Ndërkohë, disa degë tradicionale po përballen me mungesë serioze interesi:
Fizika: 20 aplikantë për 80 vende,
Kimia: 15 aplikantë për 60 vende,
Biologjia: 36 aplikantë për 45 vende.
Prorektorja Gjelaj shtoi se kjo është vetëm faza e parë e aplikimeve dhe se ekziston mundësia për plotësimin e vendeve të mbetura në afatin e dytë.
Universiteti i Prishtinës planifikon të analizojë në thellësi këto ndryshime në prirjet e interesimit dhe të rishikojë ofertën akademike për ta bërë më tërheqëse dhe më të lidhur me realitetin e tregut të punës.
Rënia e interesimit për studime në disa degë shihet si një thirrje për reformim dhe inovacion në Universitetin e Prishtines, në mënyrë që të rinjtë të përgatiten për sfidat dhe nevojat e shekullit XXI.