Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka ngritur alarmin për largimin masiv të kapitalit dhe bizneseve nga Kosova, duke e cilësuar situatën ekonomike si të rënduar dhe të ndikuar negativisht nga burokracia dhe mungesa e partneritetit mes sektorit publik dhe atij privat.
Në një prononcim për Front Online, Shahini theksoi se klima jo miqësore për investitorët, vonesat administrative dhe mungesa e koordinimit institucional kanë krijuar kushte që i detyrojnë shumë kompani të kërkojnë siguri dhe lehtësi në vende të tjera, kryesisht në Shqipëri dhe vende të Evropës.
“Tregu ekonomik i Kosovës, viteve të fundit është rënduar me çështje administrative, me çështje të burokracisë dhe mungesës së partneritetit mes sektorit privat dhe atij shtetëror. Kjo ka ndikuar në ndaljen e shumë investimeve dhe largimin e kompanive nga vendi,” u shpreh Shahini.
Sipas të dhënave të AKB-së, nga viti 2020 deri në vitin 2024, rreth 584 kompani dhe mbi 450 milionë euro kapital janë zhvendosur nga Kosova drejt Shqipërisë, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar, vendi ka humbur rreth 100 milionë euro kapital.
Shahini theksoi se shqetësimi kryesor nuk është konkurrenca me Shqipërinë, por fakti që kapitali kosovar po largohet edhe jashtë rajonit:
“Kapitali për një shtet është si gjaku për trupin. Humbja e tij e dëmton rëndë zhvillimin ekonomik dhe krijon pasiguri për investitorët ekzistues.”
Ai vuri në dukje se shteti i ka të gjitha mjetet për të ndaluar këtë trend negativ, por gjithçka varet nga vullneti politik dhe strategjia e qartë zhvillimore. Sipas tij, një hap konkret do të ishte përfshirja e 100 kompanive më të mëdha të Kosovës në hartimin e një strategjie kombëtare për zhvillim ekonomik:
“Nëse përfshihen 100 kompanitë që punësojnë mbi 1000 persona dhe identifikohen kërkesat e tyre ndaj shtetit, mund të ndërtohet një strategji reale dhe gjithëpërfshirëse për të frenuar humbjen e kapitalit dhe për të nxitur investimet.”
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka bërë thirrje që qeveria të trajtojë me urgjencë këtë çështje dhe të krijojë kushte reale për një ekonomi konkurruese, të qëndrueshme dhe tërheqëse për investitorët e brendshëm dhe të jashtëm.