Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një darkë pune me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, gjatë një takimi të mbajtur në rezidencën e ambasadorit amerikan në Prishtinë. Takimi është organizuar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Anu Prattipati.
Në këtë darkë pune morën pjesë edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, të cilët bashkë me kryeministrin Kurti diskutuan për zhvillimet më të fundit në vend dhe raportet me partnerët ndërkombëtarë.
Kryeministri Kurti, duke i uruar mirëseardhje z. Hanrahan në Kosovë, e vlerësoi lart rolin e Shteteve të Bashkuara në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati më i fuqishëm dhe më i qëndrueshëm i vendit tonë. Ne jemi krenarë që jemi partnerë të tyre dhe do të vazhdojmë të punojmë për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat,” tha Kurti gjatë takimit, sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit.
Diskutimet gjatë darkës përfshinë temat kryesore të interesit dypalësh, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, sigurinë, investimet dhe diplomacinë. Në fokus ishin edhe përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës për integrim euro-atlantik dhe forcimin e pozitës së saj në rajon, njofton Zyra e Kryeministrit.
Gjithashtu, palët diskutuan edhe zhvillimet aktuale politike në vend, bashkëpunimin rajonal dhe raportet me Serbinë, në funksion të ruajtjes së stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.


