Presidentja Osmani do t’i drejtohet Kushtetueses për sqarim mbi afatin e konstituimit të Kuvendit

by engel

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim lidhur me pasojat ligjore të mosrespektimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo deklaratë u bë gjatë një diskutimi në Hudson Institute në Washington D.C., ku Osmani theksoi se situata aktuale është pasojë e një paqartësie kushtetuese që po ndikon drejtpërdrejt në funksionalizimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve.

banner

“Kur e hartuam Kushtetutën, ishte e pamundur të parashikonim çdo skenar. U mendua me besimin se ligjvënësit do të bashkëpunonin dhe jo të bllokonin institucionet. Tani, për shkak të kësaj paqartësie, Kuvendi nuk është konstituar ende,” u shpreh Presidentja.

Ajo iu referua aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, KO124/25, të shpallur më 26 qershor 2025, i cili përcakton afatin 30-ditor për konstituimin e plotë të Kuvendit – që përfundon më 26 korrik. Megjithatë, sipas Osmanit, në këtë aktgjykim mungon një sqarim thelbësor: çfarë ndodh nëse afati nuk respektohet?

“Duket se do të më duhet të kërkoj një interpretim të veçantë nga Gjykata për këtë pikë. Dhe shpresoj që do të përgjigjen. Por gjithashtu, kam shpresë që gjatë javëve të ardhshme do të ndodhin zhvillime pozitive – që Kuvendi do të konstituohet dhe do të kemi një qeveri, sado e brishtë,” theksoi ajo.

Osmani paralajmëroi se mosfunksionimi i institucioneve mund të sjellë pasoja serioze për vendin dhe nënvizoi rëndësinë e një qeverie funksionale dhe një Kuvendi të konstituar për të parandaluar dëme të mëtejshme ndaj rendit demokratik dhe stabilitetit shtetëror.

Seanca konstituive e nisur më 15 prill 2025 mbeti e papërfunduar për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Ky ngërç politik e ka vendosur vendin në një situatë të paprecedentë, e cila tashmë kërkon ndërhyrjen e mëtejshme të Kushtetueses për të qartësuar rrugën përpara.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy