Zelanda e Re është shpallur për të tretin vit radhazi si vendi më i mirë në botë për balancën jetë–punë, sipas Indeksit Global të Balancës Jetë–Punë 2025, publikuar nga platforma ndërkombëtare Remote.
Vendi ishullor u vlerësua maksimalisht për pushimet ligjore të garantuara, sigurinë publike, dhe një nivel të lartë të lumturisë në mesin e qytetarëve të saj. Këto faktorë e kanë bërë Zelandën e Re një model ndërkombëtar për ndërtimin e një jete profesionale të shëndetshme dhe të qëndrueshme.
Indeksi i vitit 2025 përfshiu 60 vende, të cilat u vlerësuan në disa indikatorë kyç, si:
Përfitimet ligjore në vendin e punës
Përfshirja dhe mbështetja sociale
Orët mesatare të punës në javë
Cilësia e jetës dhe fleksibiliteti në punë
Fleksibiliteti, më i rëndësishëm se paga
Një nga tendencat më të dukshme të këtij viti, sipas raportit, është zhvendosja e prioritetit nga paga drejt fleksibilitetit në punë. Sondazhet tregojnë se një numër në rritje i punonjësve globalisht vlerësojnë më shumë mundësinë për të balancuar jetën personale dhe atë profesionale, sesa rritjen e të ardhurave.
Evropa dominon listën, SHBA në fund
Ndërsa Zelanda e Re udhëhoqi si vendi më i mirë në rajonin Azi-Paqësor, vendet evropiane dominuan dhjetëshen e parë, duke përfshirë Holandën, Norvegjinë dhe Gjermaninë. Këto vende u vlerësuan për politikat pro-punonjësve, si pushimet e gjata të paguara, orari i reduktuar dhe mbështetja për kujdesin ndaj fëmijëve.
Në anën tjetër të spektrit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës u renditën në vendin e parafundit, për shkak të mungesës së pushimeve ligjore të garantuara dhe kulturës së punës me orar të zgjatur.