Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje në raport me krizën politike në vend.
“Kosova është shumë më e madhe sesa egoja e Albin Kurtit dhe ambicia e Albulena Haxhiut”, u shpreh ajo.
Çitaku theksoi se PDK-ja nuk i ka ikur asnjë takimi dhe ka qenë gjithmonë e hapur për bashkëpunim, por sipas saj, koha e fjalëve ka kaluar.
“Nëse Kurti vazhdon ta përdorë kryeneçësinë si instrument politik, takimet janë të kota. LVV nuk ofron zgjidhje, por nënshtrim – dhe PDK nuk do t’i nënshtrohet liderit suprem”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se Partia Demokratike e Kosovës gjithmonë ka treguar vullnet për bashkëpunim dhe konstruktivitet, por qasja e mazhorancës është e papranueshme.
“PDK-ja asnjëherë nuk iu ka ikur takimeve. Ne kemi qenë të hapur për dialog dhe zgjidhje. Fatkeqësisht, koha e fjalëve ka kaluar – është koha e veprimeve. Mund të takohemi pafundësisht, por nëse Kurti vazhdon ta shndërrojë diktatin dhe kryeneçësinë në instrument politik, atëherë çdo takim është i kotë. Është për keqardhje mënyra sesi po e trajtojnë Kuvendin e Kosovës. LVV nuk ka ofruar asnjë zgjidhje – ata kanë ofruar vetëm nënshtrim, dhe PDK nuk do t’i nënshtrohet diktatit të liderit suprem”, përfundoi Çitaku.