Riga, 15 Korrik 2025 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në një takim zyrtar nga Presidenti i Republikës së Letonisë, Edgars Rinkēvičs, në kryeqytetin letonez, Riga. Kjo vizitë është cilësuar si historike nga Presidenti Rinkēvičs, pasi përbën vizitën e parë të një Presidenti të Kosovës në këtë shtet baltik.
Në një deklaratë pas takimit, Presidenti letonez theksoi rëndësinë e vizitës dhe përforcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve.
“Jam shumë i lumtur që sot e mirëpres në një vizitë pune Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Osmani Sadriu. Është një vizitë historike. Gjatë këtij takimi kuptuam se në fakt kjo është vizita e parë e Presidentes së Kosovës në Letoni,” – u shpreh Rinkēvičs.
Ai shtoi se megjithëse Osmani kishte vizituar më parë Letoninë si deputete, kjo është hera e parë që ajo ndodhet atje në cilësinë e Presidentes dhe përfaqësuese e institucioneve të Republikës së Kosovës. Rinkēvičs theksoi se ky moment nënvizon forcimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike mes dy shteteve.
Presidenti letonez rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e plotë të Letonisë për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Konfirmova mbështetjen tonë të pakursyer për Kosovën, në emër të Letonisë, si dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe në vazhdimin e Integrimit Evropian,” – shtoi ai.
Vizita e Osmanit vjen në një moment të rëndësishëm për diplomacinë kosovare, e cila po kërkon të forcojë lidhjet me vendet anëtare të BE-së dhe të sigurojë mbështetje për integrimin evropian dhe njohjen ndërkombëtare.
Pritet që gjatë qëndrimit të saj në Letoni, Presidentja Osmani të zhvillojë edhe takime të tjera me zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të bizneseve, në kuadër të përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe institucional mes dy vendeve.