Hykmete Bajrami ngre alarmin: Akuzon njerëzit e pushtetit të jenë të lidhur me mafian energjetike

by engel

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka hedhur akuza të rënda ndaj institucioneve shtetërore dhe qeverisë, duke ngritur dyshime për lidhje të mundshme të pushtetit me atë që ajo e quan “mafia energjetike”.

Në një intervistë për Front Online, Bajrami ka theksuar se kompania “Noa Energy Trade” po dominon në mënyrë të dyshimtë tregun e energjisë, duke përfituar nga një sistem i manipuluar dhe i mbështetur nga struktura shtetërore.

banner

Sipas saj, kompania NOA nuk është një fenomen i izoluar, por një aktor që po ndihmohet ose tolerohet nga një rrjet i organizuar që ajo e cilëson si mafie energjetike. “Dyshoj se NOA është një nga përfituesit që mafia energjetike e ndihmon ose e toleron që të ketë monopol në tregun e energjisë elektrike”, tha Bajrami.

Deputetja ka theksuar se institucionet përgjegjëse për rregullimin e tregut të energjisë – ZRRE, KOSTT dhe Ministria e Ekonomisë – kanë dështuar të veprojnë, duke lejuar kështu përqendrimin e tregut në një kompani të vetme. Ajo përmendi raste konkrete ku rregulloret e KOSTT-it janë anashkaluar dhe procedurat transparente të bursave dhe ankandeve janë shmangur.

“Importuesit si KEK, KESCO dhe KEDS blejnë energji direkt nga NOA, duke anashkaluar ankandin dhe bursën, gjë që bie ndesh me rregulloret e KOSTT-it”, theksoi ajo.

Një tjetër element që ngre dyshime, sipas Bajramit, është heshtja totale e qeverisë lidhur me këtë çështje. Ajo e konsideron këtë heshtje si shenjë të përfshirjes direkte ose indirekte të zyrtarëve shtetërorë në skemat e monopolizimit të tregut.

“Fakti se nuk ka ende asnjë deklaratë nga ndonjë zyrtar i qeverisë për monopolizimin e tregut të energjisë nga NOA krijon hapësirë për dyshime serioze. Kjo i kushton direkt xhepit të qytetarëve përmes faturave mujore”, shtoi deputetja.

Bajrami theksoi edhe përfitimet e mëdha që NOA ka realizuar në ankandet ditore për transport energjie, duke përmendur çmime që shkojnë deri në 800 euro për MËh dhe bashkëpunimin me EFT-në e Vuk Hamoviçit për import nga Maqedonia dhe Mali i Zi – edhe për këtë, sipas saj, institucionet nuk kanë reaguar.

Në fund, ajo rikujtoi raste të tjera që sipas saj përforcojnë dyshimet për lidhje të pushtetit me këtë “mafi energjetike”, duke përmendur pajisjen e Martin Berishajt me nënshtetësi dhe tabela diplomatike në kohë rekord, si dhe aktakuzën ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Të gjitha këto fakte ngrenë dyshime serioze që pushteti është pjesë e skemës që po e shkatërron këtë vend. Prandaj, kemi kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetojë gjithë zinxhirin vendimmarrës dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë”, përfundoi Bajrami.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy