Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka siguruar sasi të mjaftueshme të serumit kundër helmimeve nga pickimi i gjarprit, në kuadër të masave parandaluese dhe mbrojtëse ndaj rrezikut që paraqet rritja e aktivitetit të gjarpërinjve gjatë muajve të nxehtë të verës.
Përmes një njoftimi zyrtar, MSH konfirmoi se të gjitha qendrat e Kujdesit Parësor Shëndetësor që kanë paraqitur kërkesë për furnizim, janë pajisur me serum për trajtimin e rasteve të pickimeve nga gjarpërinjtë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë thirrje për furnizime shtesë, duke theksuar se ka rezerva të mjaftueshme dhe të sigurta.
“Serumet janë shpërndarë edhe nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), përfshirë Klinikën Infektive në QKUK, si dhe repartet infektive të spitaleve të përgjithshme në nivel vendi,” thuhet në deklaratën për media.
Rritja e temperaturave gjatë verës ndikon ndjeshëm në shfaqjen e gjarpërinjve në mjedise rurale dhe urbane. Si rezultat, qytetarët janë këshilluar të jenë të kujdesshëm gjatë qëndrimeve në natyrë, fusha, pyje, apo edhe afër banesave.
Kujdesi në natyrë – Si t’i shmangni gjarpërinjtë:
Vishni këpucë të mbyllura dhe pantallona të gjata kur ecni në terrene të hapura.
Përdorni një shkop për të larguar shkurret ose barin përpara jush.
Mos lëvizni gurët apo trungjet pa kontroll paraprak.
Mbani hapësirat përreth shtëpisë të pastra dhe largoni mbeturinat apo grumbujt e druve.
Në rast se shihni një gjarpër:
Mos u përpiqni ta kapni apo ta vrini.
Qëndroni të qetë dhe tërhiquni ngadalë.
Edukojini fëmijët të njoftojnë një të rritur nëse shohin një gjarpër.
Në rast kafshimi:
Qëndroni të qetë dhe imobilizoni gjymtyrën e prekur.
Mos e preni plagën apo tërhiqni helmin me gojë.
Thërrisni menjëherë ndihmën emergjente në 112 ose drejtohuni në spitalin më të afërt.
Nëse është e mundur, përshkruani pamjen e gjarprit për ndihmë mjekësore më të saktë – pa e rrezikuar veten.
Sipas Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, shumica e gjarpërinjve në Kosovë nuk janë helmues dhe nuk përbëjnë rrezik për jetën nëse nuk ndihen të kërcënuar. Ata janë pjesë e rëndësishme e ekosistemit, duke ndihmuar në kontrollin e dëmtuesve dhe brejtësve.
Ministria e Shëndetësisë inkurajon qytetarët të informohen dhe të marrin masa parandaluese, ndërsa institucionet shëndetësore janë të përgatitura për çdo rast të mundshëm.