Nënshkruhet marrëveshja: Gjobat e trafikut tani e tutje do t’u dorëzohen në shtëpi qytetarëve të gjashtë komunave

by engel

Qytetarët e Drenasit, Podujevës, Lipjanit, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe Graçanicës tani do të marrin gjobat për shkeljet e trafikut rrugor direkt në shtëpitë e tyre, përmes Postës së Kosovës.

Posta e Kosovës ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Policinë e Kosovës për shpërndarjen e gjobave digjitale në gjashtë komuna të Rajonit të Prishtinës. Marrëveshja u finalizua nga Drejtori i Zhvillimit të Biznesit në Postën e Kosovës, z. Ferki Maxhuni dhe Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë, nënkolonel Basri Shabani.

banner

Sipas marrëveshjes, gjobat për shkelje në komunikacion do t’u dorëzohen qytetarëve në adresat e tyre përmes rrjetit të shpërndarjes së Postës, duke e bërë më të thjeshtë dhe më të shpejtë njoftimin zyrtar.

Po ashtu, qytetarët do të kenë mundësi që pagesat e gjobave t’i kryejnë në të gjitha zyrat postare në vend, përfshirë fundjavat dhe ditët e festave zyrtare – duke ofruar fleksibilitet të madh për qytetarët që kanë angazhime gjatë javës.

Kjo nismë synon të rrisë efikasitetin institucional dhe të kontribuojë në siguri më të lartë në komunikacion, përmes një qasjeje më të drejtpërdrejtë dhe të qasshme për publikun.

“Ky është një hap tjetër konkret drejt përmirësimit të shërbimeve për qytetarët dhe një shembull i mirë i bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të ligjit dhe sigurisë publike,” thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.

Posta e Kosovës ka shtuar bashkëpunimet me institucionet publike në vend, duke synuar që, përmes produkteve dhe shërbimeve të saj, të jetë gjithnjë më afër qytetarëve në jetën e përditshme.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy