Afati për lidhjen e kontratave të reja të furnizimit me energji elektrike po afron, ndërsa rreth 90% e bizneseve të mëdha në Kosovë ende nuk kanë nënshkruar marrëveshje me ndonjë furnizues. Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka ngritur alarmin se mijëra biznese rrezikojnë të mbesin pa rrymë nga data 1 gusht.
Sipas kryetarit të OEK-ut, Lulzim Rafuna, mungesa e alternativave konkurruese në treg dhe ofertat e pakta nga furnizuesit privatë janë ndër arsyet kryesore për këtë situatë. Ai thotë se shumica e bizneseve kanë refuzuar të nënshkruajnë kontrata, për shkak se vetëm KESCO ka ofruar ofertë deri më tani.
“Thuajse janë mbi 90 për qind e bizneseve që nuk kanë lidhur ende marrëveshje me asnjë furnizues për shkak se i vetmi furnizues që u ka ofruar ofertë ka qenë KESCO. Të tjerët nuk kanë arritur të krijojnë një ofertë të mirë për bizneset,” deklaroi Rafuna për RTK.
Nga ana tjetër, KESCO ka bërë të ditur se deri tani kanë nënshkruar rreth 50 kontrata me biznese të ndryshme dhe janë në bisedime me shumë të tjera për të garantuar vazhdimin e furnizimit pas 1 gushtit. Sipas zëdhënëses së KESCO-s, Margarita Rashiti, për këta konsumatorë është krijuar shërbimi i veçantë “KESCO Premium”.
“Jemi duke takuar shumë biznese që dëshirojnë të marrin oferta nga KESCO. Aktualisht kemi nënshkruar afër 50 kontrata dhe jemi në negociata me shumë të tjera që të vazhdojnë furnizimin me KESCO-n nga data 1 gusht,” tha Rashiti.
Situata është komplikuar edhe më shumë pas njoftimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e cila paralajmëroi se pas datës 30 korrik, të gjitha bizneset që nuk kanë kontratë do të mbesin pa furnizim me energji. Kjo ka krijuar pasiguri të madhe mes komunitetit të biznesit, për shkak se ky paralajmërim bie ndesh me një vendim të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
ZRRE ka sqaruar se KEK-u mbetet furnizues i mundësisë së fundit deri më 30 janar 2026, dhe se bizneset kanë një periudhë tranzitore prej 60 ditësh për të lidhur kontrata me furnizues të tjerë. Megjithatë, sipas OEK-ut, mungon një udhëzim i qartë dhe profesional nga autoritetet, duke i lënë bizneset në një pozitë të pasigurt.
“Është një situatë pasigurie, ku as vetë bizneset nuk po dinë çfarë të bëjnë në mungesë të një këshille apo vendimi të qartë nga ana e ZRRE-së,” tha Rafuna.
Deri tani, KEK-u nuk ka dhënë ndonjë përgjigje zyrtare për mediat lidhur me këtë çështje.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit vazhdojnë të kërkojnë shtyrjen e vendimit për daljen në tregun e lirë të energjisë, duke argumentuar se as furnizuesit, e as vetë bizneset, nuk janë të përgatitur për këtë tranzicion të ndjeshëm.
Me afatin që po afron dhe me mungesën e zgjidhjeve të qarta, rreziku i ndërprerjeve të energjisë për bizneset mbetet real, me pasoja të mëdha për ekonominë e vendit.