Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET ka reaguar ashpër ndaj sulmeve ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, duke e cilësuar këtë ngjarje si një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në vend.
Sipas deklaratës së AVONET-it, sulmi ka ndodhur në një kohë kritike, kur Isufaj kishte nisur hetime për dyshime mbi keqpërdorime në tenderët publikë dhe menaxhimin e parasë publike, çka sipas rrjetit OJQ-ve nënkupton një përpjekje për ta frikësuar dhe ndalur punën e prokurorisë në luftën kundër korrupsionit.
“Ky sulm përbën kërcënim serioz ndaj sistemit të drejtësisë, funksionimit të shtetit ligjor dhe përpjekjeve për luftimin e korrupsionit në Kosovë”, thuhet në deklaratë.
AVONET po ashtu ka reaguar kundër deklaratave denigruese të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës ndaj vendimit të Gjykatës Supreme për çështjen e arkave fiskale, duke i quajtur të papranueshme dhe cenim të rëndë të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
“Institucionet shtetërore, në vend që të garantojnë zbatimin e ligjit dhe të respektojnë vendimet gjyqësore, po përdorin retorikë të papërgjegjshme dhe me prapavijë politike”, thekson AVONET.
Organizata ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të hetojë menjëherë dhe pa kompromis çdo formë kërcënimi apo presioni ndaj kryeprokurorit dhe prokurorëve që trajtojnë raste të ndjeshme.
Ndërkohë, AVONET u ka bërë thirrje zyrtarëve qeveritarë të përmbahen nga deklarata që minojnë besimin ndaj sistemit të drejtësisë, duke theksuar se respektimi i pavarësisë së gjyqësorit është thelbësor për demokracinë.
“Lufta kundër korrupsionit nuk mund të zhvillohet pa një sistem të drejtësisë të pavarur dhe të pakorruptueshëm. Çdo tentim për ta frikësuar apo diskredituar atë është sulm direkt ndaj demokracisë dhe interesit qytetar”, përfundon reagimi i AVONET.