Ish-profesori universitar dhe hartuesi kryesor i Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka hedhur akuza të rënda dhe të paprecedenta në drejtim të disa figurave publike që sot po prezantohen si “ekspertë kushtetues”. Ai ka shprehur indinjatën e tij për mënyrën se si, sipas tij, Kushtetuta po keqinterpretohet nga individë të cilët dikur mezi kanë kaluar provimet në Fakultetin Juridik.
Në një paraqitje mjaft të drejtpërdrejtë në “Frontal” të T7, Bajrami tha se po përjeton një lloj “turpi personal” kur sheh disa nga ish-studentët e tij më të dobët të flasin për çështje kushtetuese me siguri të rreme dhe pa kompetencë.
“Po shtrëngohem kur po i shoh. Kam stres. Ka dalë diçka jashtë kontrollit nga fakulteti ynë,” tha Bajrami, me një ton të ashpër, duke lënë të kuptohet se problemi është i thellë dhe sistemik në nivel të prodhimit të elitës juridike.
Sipas tij, debati kushtetues në Kosovë ka degraduar në spektakël televiziv, ku “ekspertë” të vetëshpallur flasin pa njohuri bazike. Ai paralajmëroi se një interpretim i gabuar i Kushtetutës rrezikon ta fusë shtetin në krizë funksionale.
“Ka filluar një abuzim politik me Kushtetutën. Në vend se të jetë busulla e sistemit, ajo është bërë armë e interpretuesve politikë të momentit,” shtoi ai.
Bajrami bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të “seancave farsë” në Kuvend, duke kërkuar një zgjidhje të mençur dhe konsensuale për krizën institucionale që ka përfshirë vendin.
“Shteti s’mund të mbyllet. Kemi edhe 2-3 episode të kësaj tragjikomedie politike, pastaj shpresoj të përfundojë kjo periudhë e neveritshme”, përfundoi ai.
Ky reagim i Bajramit vjen në një kohë kur vendi po kalon një nga momentet më të tensionuara politike dhe kushtetuese pas zgjedhjeve parlamentare.

