Japonia po përballet me mjedisin më të rrezikshëm të sigurisë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, pasi tre kundërshtarë të mundshëm në Azinë Lindore – Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut – po rrisin aktivitetet ushtarake në rajon, deklaroi ministri japonez i Mbrojtjes të martën.
“Rendi ekzistues i paqes botërore është duke u sfiduar seriozisht dhe Japonia ndodhet në mjedisin më të rëndë dhe kompleks të sigurisë në epokën pasluftës,” tha ministri i Mbrojtjes, Gen Nakatani, në hyrjen e raportit vjetor të bardhë të mbrojtjes të ministrisë.
Sipas raportit, aktivitetet ushtarake të Kinës përfaqësojnë “një sfidë strategjike të paparë dhe më të madhen” për Japoninë.
Pekini, sipas Nakatani, po “forcon kapacitetin e saj ushtarak në mënyrë cilësore dhe sasiore” dhe po “intensifikon” aktivitetet në rajon – veçanërisht rreth Ishujve Senkaku në Detin Lindor të Kinës, të cilët janë nën kontrollin e Tokios, por që Kina gjithashtu i pretendon, duke i quajtur Diaoyu.
Dokumenti prej 34 faqesh ofron një pamje të zymtë të së ardhmes në rajon, veçanërisht në lidhje me rivalitetin në rritje midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara – aleatit më të rëndësishëm të Japonisë.
“Ekuilibri global i fuqisë është duke ndryshuar në mënyrë dramatike dhe konkurrenca ndërmjet shteteve vazhdon. Në veçanti, konkurrenca ndërmjet SHBA-së dhe Kinës ka gjasa të intensifikohet më tej në të ardhmen,” thuhet në raport.
Raporti thekson se aktivitetet ushtarake të Kinës përreth Tajvanit – ishull demokratik që Pekini pretendon si pjesë të territorit të tij – përbëjnë kërcënim.
“Kina kërkon të krijojë një fakt të kryer për praninë e Ushtrisë Çlirimtare Popullore (UÇP) dhe të përmirësojë aftësitë e saj për luftime reale,” thuhet në raport.
Po ashtu përmendet edhe situata e ngjashme në Detin e Kinës Jugore, ku veprimet e UÇP-së konsiderohen si shqetësim i ligjshëm për Japoninë, për shkak të rrugëve detare të rëndësishme që kalojnë aty.
Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes, Jiang Bin, u përgjigj të mërkurën duke akuzuar Japoninë për “zmadhuar kërcënimin nga Kina” dhe për “ndërhyrje të rëndë në çështjet e brendshme kineze”.
“Pala japoneze po shpik narrativa të rreme për të gjetur arsye që të zbusë kufizimet mbi ushtrinë e saj,” tha Jiang, duke iu referuar kushtetutës japoneze të pasluftës që kufizon forcat e armatosura vetëm për vetëmbrojtje.
Përmendja e Luftës së Dytë Botërore nga Japonia mbetet një çështje e ndjeshme në rajon, ku kujtimet për militarizmin shkatërrues japonez ende rëndojnë në marrëdhëniet me fqinjët.
“I bëjmë thirrje Japonisë që të mësojë nga historia dhe të ndalojë shpifjet dhe akuzat ndaj Kinës,” tha Jiang.
Rusia dhe Koreja e Veriut
Raporti nuk fokusohet vetëm te Kina. Ai thekson se UÇP po forcon bashkëpunimin ushtarak me forcat ruse, duke përfshirë fluturime të përbashkëta të bombarduesve dhe patrullime detare pranë Japonisë.
“Këto aktivitete të përsëritura të përbashkëta synojnë qartë demonstrimin e forcës kundër Japonisë,” thuhet në raport.
Gjatë vitit fiskal të kaluar, avionët luftarakë japonezë janë ngritur 704 herë, nga të cilat 464 herë për shkak të avionëve kinezë dhe 237 për shkak të atyre rusë – pothuajse dy ngritje urgjente në ditë.
Pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka hyrë në vitin e katërt, dhe përqendrimi i burimeve ushtarake në atë konflikt, është një tjetër shqetësim për Japoninë.
“Siguria e Evropës dhe Indo-Paqësorit është e pandashme,” thekson raporti, duke paralajmëruar se një luftë si ajo në Ukrainë mund të ndodhë edhe në këtë rajon – pa specifikuar se ku.
Raporti thekson se disa nga armatimet më të reja ruse janë vendosur në Paqësor. Moska ka shtuar trupa, raketa dhe avionë luftarakë në ishujt veriorë të Japonisë – të pushtuar nga Bashkimi Sovjetik në fund të Luftës së Dytë Botërore – për të cilët Japonia thotë se janë territor i saj i ligjshëm, por i okupuar nga Rusia.
Ndërkohë, Koreja e Veriut është duke zhvilluar më tej armët bërthamore dhe raketat balistike për t’i lëshuar ato, thekson raporti.
“Raketat balistike të Koresë së Veriut, që besohet se mund të mbajnë koka bërthamore, janë në gjendje të mbulojnë të gjithë arkipelagun japonez,” thuhet aty.
“Aktivitetet ushtarake të Koresë së Veriut paraqesin kërcënimin më serioz dhe të menjëhershëm për sigurinë e Japonisë deri më sot.”
Raporti japonez pasqyron shumë nga shqetësimet e paraqitura nga komandanti i Komandës Indo-Paqësor të ushtrisë amerikane, admirali Samuel Paparo, në dokumentin e tij strategjik në prill.
“Kina po ndjek një modernizim ushtarak të paprecedentë dhe po shfaq sjellje gjithnjë e më agresive që kërcënon territorin amerikan, aleatët tanë dhe partnerët,” tha Paparo.
Ai theksoi se bashkëpunimi gjithnjë e më i thellë midis Kinës, Rusisë dhe Koresë së Veriut paraqet rrezik në rritje në Paqësor.
“Së bashku, lidhjet gjithnjë e më të forta mes këtyre vendeve krijojnë një sfidë të ndërlikuar dhe të ndërlidhur për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe stabilitetin rajonal,” përfundoi ai./CNN
Përgatiti: Brad Lendon (CNN)
Kontribut: Joyce Jiang (CNN)