Në ditën e tretë të transmetimeve të rrëfimeve të grave të mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë, një grua ka ndarë historinë e saj rrëqethëse në emisionin Debat Plus, në kushte anonimiteti.
E mbijetuara, mes emocioneve të thella, rrëfeu se si ajo dhe motra e saj u gjendën në një situatë ku nuk patën mundësi t’i shpëtonin dhunimit nga forcat serbe.
“Lufta më gjeti me tre fëmijë. Njërin e kisha humbur më parë. Ditën e Bajramit, u detyruam të ikim në bjeshkë me shpresën se do të ktheheshim shpejt. Fëmijët i vesha, por s’mora rroba të tjera, se askush nuk e besonte çfarë tragjedie po vinte,” tregoi ajo.
E shtyrë nga nevoja për të siguruar rroba dhe ushqime për fëmijët, ajo vendosi të kthehej në shtëpi. E shoqëruar nga dy gra të tjera dhe motra e saj, ajo u përball me pamjen e shtëpisë së saj të shkrumbuar nga zjarri
“Ishte shkatërrim total. E piva një grusht ujë nga çeshmja që kishim ndërtuar me mund, dhe thashë me vete: ‘Fëmijët i kam mirë, kjo është më e rëndësishmja’. Por rrugës për te një shtëpi fqinje, ku ishin disa gjëra që na ishin lënë, ndodhi e paimagjinueshmja,” tregoi ajo mes lotësh.
Në atë shtëpi, ajo dhe motra e saj u përballën me pesë ushtarë dhe policë serbë. Disa prej tyre të maskuar, të tjerët me uniforma, i futën me forcë brenda dhe ushtruan dhunë seksuale ndaj tyre.
“Na kanë futur brenda, në një shtëpi të huaj, jo timen… dhe aty ndodhi ajo që nuk do ta harroj kurrë. Më e keqja ndodhi, e përjetuam të dyja,” tregoi ajo, duke theksuar se ajo çfarë e rëndon më së shumti është se kjo dhunë i ndodhi edhe motrës së saj
Rrëfimi i saj është një dëshmi e dhimbshme, por thelbësore, që tregon brutalitetin e luftës dhe plagët që shumë gra ende i mbajnë të gjalla.
Debat Plus po vazhdon me transmetimin e këtyre dëshmive për të nxjerrë në dritë të vërtetat e patreguara të luftës në Kosovë.