Një grua e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka rrëfyer një histori të dhimbshme dhe tronditëse në emisionin “Debat Plus” të TV Dukagjinit, duke ndarë për publikun përvojën e saj të vuajtjes dhe sfidave pasluftës.
Ajo tregoi se, ndonëse shenjat fizike i janë zhdukur me kalimin e kohës, plagët shpirtërore vazhdojnë të mbesin.
Por më tronditëse është se e njëjta ishte sërish sfiduar nga po të njëjtët ushtarë serbë që e kishin dhunuar.
“Edhe unë plus e kam abortu një… unë abortim kam pas me serb kur jam dhunu. E dinë krejt, unë kam pas abortim”, ka treguar ajo.
Sipas saj, e kishte kuptuar pas një muaji se ishte mbetur shtatzënë, dhe pasi kishte ndarë lajmin me nënën, kjo e fundit kishte kërkuar ndihmë nga një mjek i njohur i kohës për ta ndihmuar vajzën e saj.
Aborti, sipas saj, u krye në muajin e dytë të shtatzënisë, por pasojat fizike dhe emocionale u thelluan më shumë.
“Aty, aty edhe ma zi kam qenë sëmurë… edhe ma keq kam qenë. Historia jem është shumë e gjatë, shumë e gjatë, nja katër orë a pesë duhet me nejt veç me tregu,” është shprehur ajo.
E pyetur nëse ndonjëherë kishte menduar ta mbante fëmijën, ajo u shpreh qartë: “Çka më duhet mua ai fëmijë? Ai fëmijë me kryq është, unë s’jam me kqyq. Jo, kurrë thojsha, kurrë. Edhe e kam heq, e kam abortuar.”
Në fund, ajo ndau një mesazh për të gjithë ata që kanë kaluar vuajtje të ngjashme:
“Mesazhi jem është – më vjen keq që ju ka ndodhë. Më vjen keq, po edhe kur ta këqyr, s’kemi çka me ba. I ka ardhë koha ashtu. Dikush s’ka qejf me marrë vesh, dikush s’ka qejf mu shpreh, dikush nuk ka qejf. Unë nuk e kam problem.”
Ky rrëfim shërben si një kujtesë e gjallë për plagët e luftës dhe për domosdoshmërinë e drejtësisë dhe përkrahjes ndaj viktimave të dhunës seksuale.