Në përballje me një deficit të thellë buxhetor dhe një nevojë urgjente për reforma fiskale, Franca po shqyrton mundësinë e eliminimit të dy festave zyrtare si pjesë e një pakete të gjerë masash për shkurtime të shpenzimeve.
Kryeministri François Bayrou njoftoi se qeveria synon të kursejë 43.8 miliardë euro deri në vitin 2026, për të ulur deficitin nga 5.4% që është aktualisht, në 4.6%.
Në mesin e propozimeve më të debatueshme janë eliminimi i së hënës së Pashkëve dhe datës 8 maj, e njohur si Dita e Fitores në Evropë – një ditë që përkujton dorëzimin e Gjermanisë naziste dhe përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në kontinent. Sipas qeverisë, këto ditë pushimi “nuk kanë më domethënie thelbësore” dhe heqja e tyre do të sillte përfitime ekonomike për vendin.
“Këto festa bien zakonisht në muaj me fundjava të gjata, duke penguar produktivitetin dhe aktivitetin ekonomik. Eliminimi i tyre do të ishte një nxitje për sektorin privat dhe administratën publike,” thuhet në deklaratën zyrtare të qeverisë.
Përveç festave zyrtare, paketa përfshin edhe masa të tjera si shkurtimi i 3.000 vendeve të punës në sektorin publik dhe kufizimi i lehtësirave tatimore për të pasurit. Një tjetër element është propozimi për një “kontribut solidariteti” nga shtresa më e pasur e popullsisë, si një mënyrë për të shpërndarë barrën financiare në mënyrë më të drejtë.
“Sot po përjetojmë një moment të së vërtetës. Ky është një nga ato kapituj në historinë e një kombi, kur secili qytetar duhet të reflektojë mbi rolin që është i gatshëm të luajë për të ardhmen tonë të përbashkët,” deklaroi kryeministri Bayrou në një konferencë për shtyp.
Masat e propozuara pritet të nxisin debat të gjerë publik dhe politik, pasi përplasen me çështje të ndjeshme si historia, identiteti kombëtar dhe drejtësia sociale. Megjithatë, qeveria e sheh këtë si një hap të domosdoshëm për të shmangur një krizë të mëtejshme fiskale dhe për të vendosur baza më të qëndrueshme për zhvillimin ekonomik të vendit.