Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (DBNP–ILECU), ka intensifikuar përpjekjet në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, që sipas Policisë dëshmon një nivel të lartë profesionalizmi dhe përkushtimi në luftën kundër kriminalitetit ndërkufitar.
Në gjashtë muajt e parë të vitit sipas një njoftimi të Policisë janë shkëmbyer gjithsej 10,835 informacione ndërkombëtare përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, duke përfshirë INTERPOL-in, EUROPOL-in, ndërlidhësit policorë, ambasadat, si dhe organizata dhe shtete të ndryshme partnere në fushën e sigurisë. Këto shkëmbime kanë ndihmuar në koordinimin e suksesshëm të operacioneve dhe hetimeve policore.
Nga statistikat e bëra publike sot si rezultat i këtij bashkëpunimi, janë arrestuar 13 persona të kërkuar ndërkombëtarisht për vepra të rënda penale, nëpërmjet bashkëpunimit me INTERPOL-in dhe EUROPOL-in. Po ashtu, janë realizuar 39 ekstradime, prej tyre 15 persona janë ekstraduar nga Kosova në shtete të tjera, ndërsa 24 të tjerë janë ekstraduar nga shtetet partnere drejt Kosovës.
“Policia e Kosovës konsideron se këto rezultate janë dëshmi e qartë e angazhimit të saj në zbatimin e ligjit dhe kontributit për sigurinë globale. Po ashtu, bashkëpunimi me organizata si INTERPOL-i dhe EUROPOL-i forcon më tej integrimin e Kosovës në rrjetin ndërkombëtar të sigurisë, duke e pozicionuar atë si një partner të besueshëm në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.