Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Takimi, i cili zgjati për disa orë, nuk ka prodhuar ende një marrëveshje të qartë për tejkalimin e ngërçit politik që ka kapluar institucionet e vendit.
Deri më tani, nuk janë dhënë detaje nga asnjëra palë rreth asaj që është diskutuar dhe nëse është arritur ndonjë dakordim konkret për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Takimi mes Kurtit dhe Limajt po ndodh në një moment tejet kritik për skenën politike kosovare, pasi afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit është drejt përfundimit. Me seancën e sotme, e 49-ta me radhë, procesi kushtetues vijon të mbetet i bllokuar, pasi edhe ajo përfundoi pa ndonjë rezultat.
Në mungesë të konsensusit politik dhe me afatin që po afron, e gjithë vëmendja tashmë është përqendruar te seanca e radhës, që do të jetë e 50-ta. Mbetet të shihet nëse ajo do të sjellë ndonjë zgjidhje konkrete dhe nëse takimi i sotëm do të reflektohet në zhvillimet e së hënës.