Ngërçi institucional, Çitaku: Egoja e Kurtit dhe ambicia e Haxhiut po e zhytin Kosovën në krizë politike, ekonomike dhe sociale

by engel

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka ngritur alarmin për krizën e thellë institucionale që, sipas saj, po e dëmton rëndë vendin në çdo aspekt. Në një intervistë për Ekonomia Online, Çitaku tha se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, tash e gjashtë muaj, ka sjellë pasoja të rënda politike, ekonomike dhe sociale, të cilat po i përjetojnë drejtpërdrejt qytetarët e vendit.

Ajo fajësoi kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për këtë situatë, duke e quajtur rezultatin e një “egoizmi politik” dhe të një “ambicie personale për pushtet”.

banner

“Është një skenar, të cilin nuk kemi mundur ta imagjinojmë në vitin 2008, kur kemi shpallur pavarësinë. Tash e gjashtë muaj ne nuk flasim për pensionistët që zgjedhin mes barnave dhe bukës, për mësuesit e policët që mezi mbijetojnë, për sektorin privat që po shkatërrohet nga vendimet arbitrare të qeverisë. Flasim vetëm për egon e një njeriu dhe ambicien e një tjetri për karrige,” tha Çitaku.

Duke e cilësuar situatën si “tërësisht të paimagjinueshme”, Çitaku kujtoi se shteti i Kosovës është ndërtuar me shumë sakrificë dhe përkrahje ndërkombëtare, të cilën, sipas saj, qeveria aktuale po e dëmton me vetëdije.

“Kjo liri dhe kjo pavarësi kanë ardhur me një kosto të lartë. Dhe sot, udhëheqësit e tanishëm po i trajtojnë me nënçmim aleancat perëndimore, duke rrënuar urat e bashkëpunimit që i kemi ndërtuar me shumë mund,” deklaroi ajo.

Çitaku gjithashtu theksoi se Kosova ndodhet nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe se marrëdhëniet me aleatët tradicionalë janë dëmtuar rëndë, përfshirë edhe Shqipërinë.

“Sot Kosova është e izoluar. Nuk flitet më për integrim, nuk flitet për njohje të reja. Raportet janë acaruar me të gjithë, madje edhe me Shqipërinë,” përfundoi Çitaku.

Ajo i bëri thirrje institucioneve të reflektojnë dhe të veprojnë urgjentisht për t’i dhënë fund krizës, para se dëmi të bëhet i parikuperueshëm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy