Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar përvjetorin e Epopesë së Rahovecit përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke nderuar kujtimin e dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve të lirisë.
Në postimin e saj, Presidentja Osmani thekson se ngjarjet tragjike të korrikut 1998 janë një plagë e thellë për Kosovën, por edhe një burim i vazhdueshëm frymëzimi për të kërkuar drejtësi.
“Nga 17 e deri më 26 korrik 1998, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë e ekzekutuan rreth 100 gra, fëmijë e pleq, shumica të strehuar në teqenë e Sheh Myhedinit në Rahovec dhe rrethinë. Në përvjetorin e Epopesë së Rahovecit, përulemi me nderim para sakrificës së dëshmorëve të UÇK-së dhe martirëve,” – shkruan Presidentja.
Ajo e përshkroi Rahovecin si simbol të dhimbjes dhe rezistencës, duke theksuar se kujtimi për viktimat është i përjetshëm dhe se përpjekja për drejtësi do të vazhdojë pa u ndalur.
“Rahoveci është plagë, dhimbje, por edhe kujtesë që na frymëzon ta çojmë përpara betejën për drejtësi. Kujtimi për viktimat është i përjetshëm, teksa zëri ynë për drejtësi nuk do të pushojë kurrë, derisa ajo të ngadhënjejë,” – shtoi Osmani.
Në përfundim të mesazhit të saj, Presidentja shprehu respektin më të lartë për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës:
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmorët e UÇK-së dhe martirët e lirisë!”
Përvjetori i Epopesë së Rahovecit kujton një nga kapitujt më të dhimbshëm të luftës në Kosovë, ku humbën jetën civilë të pafajshëm dhe luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në përballje me forcat serbe.