Një person është arrestuar nga Policia e Kosovës në Prishtinë, pas një kontrolli rutinë të kryer nga njësitë e Stacionit Policor Veri. Gjatë kontrollit, tek i dyshuari janë gjetur substanca të dyshuara narkotike, një shumë e konsiderueshme parash dhe një thikë, ndërsa më pas është konstatuar se ai ishte në kërkim policor.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, i arrestuari është M.S., 28 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.
“Gjatë kontrollit të kryer, janë sekuestruar një sasi e substancave të dyshuara narkotike, një shumë e konsiderueshme e parave dhe një thikë,” thuhet në njoftim.
Pas verifikimit të identitetit, është konstatuar se i dyshuari figuron në sistem si person në kërkim, për çka ndaj tij janë ndërmarrë veprimet ligjore të menjëhershme.
Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa rasti është iniciuar për dy vepra penale:
- “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, dhe
- “Armëmbajtje pa leje”.
Hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar, ndërsa Policia e Kosovës njofton se do të ndërmarrë masa të rregullta për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të paligjshme në të gjitha rajonet e vendit.

