Një tjetër skandal godet themelet e integritetit institucional në Kosovë. Hulumtuesi i gazetarisë, Lirim Mehmetaj, ka dalë me gjetje të reja që përfshijnë zyrtarë të afërt me kabinetin qeveritar në biznesin e shitblerjes së energjisë elektrike – një sektor strategjik dhe jashtëzakonisht i ndjeshëm.
Sipas të dhënave të publikuara, këshilltari i Ministrit të Financave Hekuran Murati, Blirind Danjolli, është emëruar Tregtar i Energjisë dhe Analist në kompaninë e sapolicencuar për tregti me energji “MDA Energy”. E njëjta kompani ka përfshirë edhe vëllain e Luan Dalipit, shefit të kabinetit të Kryeministrit Albin Kurti.
Kjo përputhje e interesave mes figurave kaq të afërta me pushtetin qeveritar dhe një sektor kaq fitimprurës, po ngjall jo vetëm dyshime të thella mbi konfliktin e interesit, por edhe shqetësime serioze për kapjen e shtetit dhe shfrytëzimin e informacionit të brendshëm për përfitime personale, pretendon Lirim Mehmetaj.
A është thjesht një rastësi që dy njerëz me lidhje direkte me strukturat më të larta qeveritare janë bashkë në një kompani që do të tregtojë energji – një fushë që aktualisht është ndër më të debatuarat për shkak të krizës dhe mungesës së transparencës?
Kujtesa historike na kthen te rasti i Martin Berishajt, që kishte pranuar publikisht se kishte përfituar nga informacionet që kishte si lidhje me qeverinë për çështjet e energjisë. Një deklaratë që sot, me zhvillimet e fundit, merr një peshë edhe më të madhe.
Burimet e afërta me këtë rast sugjerojnë se Danjolli dhe vëllai i Dalipit janë vetëm “emra të parë”, ndërsa prapa kompanisë qëndrojnë, në mënyrë joformale por reale, vetë Murati dhe Dalipi. Kjo teknikë e “maskimit” të pronësisë përmes emrave të tretë, është një taktikë e njohur që synon të shmangë kontrollin e opinionit publik dhe të organeve të ligjit.
Në një vend ku energjia është kthyer në një sektor kyç për investime, lobime dhe afera, përfshirja direkte e njerëzve të qeverisë në këtë treg paraqet një rrezik serioz për interesin publik dhe etikën në qeverisje.
Ky është një tjetër episod i trishtë për një shtet që ende po lufton të ndërtojë themele të shëndosha të demokracisë. Përfshirja e figurave të larta në afera potencialisht të dyshimta tregon një model qeverisës që ka zëvendësuar idealet me interesat.