Në kuadër të projektit ndërkufitar “Rilindja Kulturore nga Liqeni i Shkodrës në Kosovë (UDHËTIM NË KOHË)”, të financuar nga Bashkimi Evropian, është zhvilluar një punëtori tre-ditore edukative për ofruesit e shërbimeve turistike nga Mali i Zi dhe Kosova. Aktiviteti u mbajt nga data 18 deri më 20 korrik në qytetin e Rozhajës, me fokus në zhvillimin e përvojave kulturore përmes turizmit dhe trendet e reja në hartimin dhe udhëheqjen e tureve turistike.
Për organizimin e puntorisë në Rozhajë u kujdesë Qendra për Iniciativat e Turizmit të Qëndrueshëm (CSTI) nga Podgorica në bashkëpunim me Fondin për Zhvillimin e Komunitetit (CDF) duke grumbulluar së bashku udhërrëfyes malorë e qytetesh, agjenci udhëtimi dhe përfaqësues të organizatave lokale turistike nga të dy vendet. Gjatë sesioneve trajnuese, pjesëmarrësit u njohën me teknika moderne të interpretimit turistik, duke synuar përmirësimin e cilësisë së përvojës për vizitorët dhe përshtatjen e ofertës me kërkesat e turistëve të sotëm.
Një nga momentet kryesore të punëtorisë ishte prezantimi i produktit të ri turistik “Udhëtim në kohë” – një ofertë e integruar kulturore dhe historike që do të lançohet në treg deri në fund të gushtit 2025. Ky produkt do të interpretojë trashëgiminë nga periudha të ndryshme historike: antike, mesjetare, osmane dhe pas Luftës së Dytë Botërore, dhe është i dizajnuar si për turistë vendas, ashtu edhe ndërkombëtarë – të apasionuar pas historisë, kulturës dhe natyrës.
Aktualisht janë zhvilluar tre shtigje tematike në Mal të Zi: në Petnicë, Rozhajë dhe Ckla pranë Ostrosit. Në Kosovë, shtigjet turistike në Ujmirë, Dresnik, Mirushë, Belle dhe Radac janë pajisur me panele interpretative dhe sinjalistikë informative që promovojnë trashëgiminë vendore.
Për të rritur dukshmërinë e këtij produkti të përbashkët, partnerët e projektit po përgatisin një broshurë turistike, një faqe interneti dhe një platformë digjitale që do t’i shërbejnë promovimit dhe menaxhimit të integruar të itinerarit kulturor.
Në punëtori morën pjesë edhe studentë të Universitetit “Haxhi Zeka” nga Peja si dhe OJQ të ndryshme nga Peja, Klina dhe Deçani. Në përfundim të aktivitetit, 20 pjesëmarrës – 10 nga Kosova dhe 10 nga Mali i Zi – u certifikuan për përfundimin me sukses të trajnimit.
Projekti “Rilindja Kulturore nga Liqeni i Shkodrës në Kosovë (Udhëtim në kohë)” zbatohet në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi–Kosovë, përmes Instrumentit të Asistencës për Para-Anëtarësim (IPA) të Bashkimit Evropian. Ai ka nisur më 1 mars 2023 dhe do të zgjasë 30 muaj. Vlera totale e projektit në Mal të Zi tejkalon 190,000 euro, ku 85% financohet nga BE dhe 15% nga Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi.
Projekti zbatohet nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF) në partneritet me Komunën e Klinës, CSTI nga Podgorica dhe Organizata Kombëtare e Turizmit të Malit të Zi (NTO).







