Vajza që regjistroi dhe publikoi videon e skandalit të “Kiss Cam” gjatë një koncerti të grupit “Coldplay”, ka folur për herë të parë publikisht, duke sqaruar rrethanat dhe qëllimin e saj. Grace Springer, e cila ishte në koncertin në Boston ku ndodhi ngjarja, dha një intervistë për emisionin britanik “This Morning”, ku rrëfeu versionin e saj.
Videoja, që u bë virale në rrjetet sociale, tregonte momentin kur frontmeni i grupit, Chris Martin, kthen kamerën drejt publikut për të shfaqur çifte në ekranin gjigant të arenës. Por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte një moment intim mes Andy Byron, CEO i kompanisë teknologjike “Astronomer”, dhe Kristin Cabot, drejtuese e burimeve njerëzore në të njëjtën kompani, të cilët përpiqen të fshihen sapo kuptojnë se janë në fokusin e kamerës.
Byron, i martuar dhe një figurë publike në fushën e teknologjisë, dha dorëheqjen disa ditë më pas, pas reagimeve të shumta dhe një deklarate zyrtare nga kompania që theksonte rëndësinë e sjelljes etike dhe përgjegjësisë nga liderët.
Grace theksoi se nuk kishte qëllim të ekspozonte askënd dhe se thjesht po filmonte në përpjekje për të kapur një moment personal nga koncerti:
“E mbajta telefonin lart sepse doja të regjistroja momentin, ndoshta edhe të shihja veten në ekranin e madh. Në atë moment nuk mendova shumë, por më vonë, teksa e analizuam videon me shoqërinë, kuptuam se dukej shumë e dyshimtë.”
E pyetur për ndjenjat e saj pasi videoja u përhap me shpejtësi dhe solli pasoja të mëdha personale për personat në të, ajo u shpreh:
“Më vjen shumë keq për bashkëshorten e Andyt dhe për familjen e tij. Por ishin mbi 50 mijë njerëz në koncert, nuk isha e vetmja që e xhirova. Nëse nuk do ta postoja unë, do ta bënte dikush tjetër.”
Grace gjithashtu sqaroi se nuk ka përfituar financiarisht nga videoja që mori miliona shikime në TikTok dhe platformat tjera:
“Nuk është monetizuar. Nuk kam fituar asnjë qindarkë.”
Rasti ka ndezur debat publik për privatësinë në hapësira publike, etikën e publikimit të përmbajtjes virale dhe ndikimin që një video e thjeshtë mund të ketë në jetët e njerëzve.

