Situata në malin e Dukatit në Vlorë mbetet kritike, ndërsa zjarri po përhapet me shpejtësi drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.
Shqipëria ka aktivizuar Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile dhe ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për të përballuar emergjencën.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri me dije nga Vlora se vendi ka mobilizuar të gjitha kapacitetet, duke kërkuar edhe ndihmë ajrore me dy kanaderë për të fokusuar ndërhyrjen. Megjithëse në terren janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 17 zjarrfikës, terreni i vështirë dhe përmasat e mëdha të zjarrit po e bëjnë situatën jashtëzakonisht sfiduese.
Vengu paralajmëroi se temperaturat e larta që priten të enjten dhe të premten do ta bëjnë më të vështirë kontrollin e zjarrit.
Gjatë operacioneve të shuarjes, tre zjarrfikës të Vlorës u dëmtuan nga tymi dhe u dërguan në spital, ku ndodhen në gjendje të stabilizuar pas trajtimit për asfiksi.
Situata mbetet emergjente dhe kërkohet angazhim maksimal për të mbrojtur zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Llogarasë nga dëmet katastrofike.