Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se sot në veri të vendit janë gjetur dy raketahedhës krahu, armë të prodhimit serb.
Ai ka publikuar foto të tyre, teksa ka thënë se çdo ditë e më shumë po rikthehet rendi në atë pjesë të territorit.
“Në anën tjetër, Beogradi jo vetëm që nuk është distancuar asnjëherë nga këto mjete dhe veprime në veri të vendit, por përkundrazi, për vite me radhë i ka stimuluar, organizuar dhe furnizuar grupet terroriste dhe bandat kriminale, me të vetmin qëllim: cënimin e integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Ne, megjithatë, jemi të vendosur që në mënyrë sistematike dhe pa asnjë dilemë të çmontojmë çdo prani kriminale apo potencial terrorist në vendin tonë. Çdo ditë e më shumë po e kthejmë rendin në atë pjesë të territorit dhe, bashkë me të, edhe investimet dhe zhvillimin për të gjithë qytetarët, pa dallim”, ka shkruar Sveçla.
Policia ka thënë se armët janë gjetur një kompleks banesor të pabanuar në rrugën “Anka Spaic”.
“Armët janë sekuestruar si dëshmi materiale, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.” Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë publike dhe fton qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo informacion të dyshimtë përmes linjave zyrtare të komunikimit”, thuhet në njoftim.

