15 vite nga Mendimi Këshilldhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë: Albin Kurti “Triumf i së drejtës së Kosovës për vetëvendosje”

by engel

Sot shënohen 15 vite nga shpallja e Mendimit Këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) mbi ligjshmërinë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës – një ndër momentet më të rëndësishme në historinë moderne të shtetformimit të Kosovës dhe në afirmimin e së drejtës ndërkombëtare.

Më 22 korrik 2010, GjND konfirmoi se shpallja e pavarësisë nga institucionet e Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë kështu legjitimitet politik dhe juridik një procesi të gjatë të vetëvendosjes së popullit të Kosovës.

banner

Ky mendim u dha pas kërkesës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e iniciuar nga Serbia, me synimin për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës. Por, në vend të kësaj, rezultati u kthye në një nga humbjet më të mëdha diplomatike për Serbinë dhe në një fitore të madhe për të drejtën ndërkombëtare, për drejtësinë historike dhe për popullin e Kosovës.

Mendimi i GjND-së mbetet një gur themeli në ligjshmërinë ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, duke vulosur të drejtën e një populli të shtypur për vetëvendosje, përballë një regjimi kolonizues e shovinist siç ishte ai i Serbisë. Ai është po ashtu dëshmi që lufta për liri dhe drejtësi nuk është e kotë, por e mbështetur në parime universale që gjejnë vend në të drejtën ndërkombëtare.

Për shumë juristë, studiues e diplomatë, ky mendim mbetet një mësim për parimësinë dhe etikën në interpretimin e çështjeve të ndërlikuara të drejtës ndërkombëtare. Ai do të vazhdojë të citohet në auditoret akademike dhe sallat gjyqësore si një precedent i rëndësishëm për popujt që kërkojnë liri dhe vetëvendosje.

Sot, 15 vite më vonë, Kosova vazhdon të ecë drejt konsolidimit të shtetësisë së saj, duke u mbështetur në akte si ky – që nuk janë vetëm formale, por që përmbajnë peshë historike, ligjore dhe simbolike për identitetin dhe të ardhmen e saj ndërkombëtare.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy