Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, së bashku me zëvendësin e tij Christian Bottcher, ka vizituar së fundmi trupat gjermane të stacionuara në Kampin Bondsteel, në kuadër të misionit të KFOR-it. Gjatë vizitës, ai u njoh nga afër me detyrat operative të trupave, pajisjet moderne ushtarake dhe mënyrën se si ato përdoren në patrullimet dhe vëzhgimet përgjatë kufirit Kosovë–Serbi.
Sipas njoftimit të publikuar nga Ambasada Gjermane në Kosovë, Rohde u shpreh i impresionuar nga profesionalizmi dhe përkushtimi i trupave gjermane në terren.
“U ndjeva sikur u ktheva në shtëpi”, ka thënë ambasadori, duke rikujtuar shërbimin e tij në forcat gjermane gjatë viteve 1980 në njësinë Strandmeisterkompanie.
Gjatë vizitës, Rohde pati mundësinë të “testojë” pajisje moderne që përdoren nga trupat, përfshirë automjete të blinduara dhe sisteme të avancuara të vëzhgimit. Një moment simbolik për të ishte rikthimi përkohësisht në kontrollin e një ngarkuesi Ahlmann me krah rrotullues – një pajisje tashmë e modernizuar, por që ambasadori e njohu që nga koha e shërbimit të tij ushtarak.
“Puna juaj është thelbësore, ekspertiza juaj e jashtëzakonshme dhe përkushtimi juaj vlerësohet thellësisht. E kaluara takon të tashmen – aty ku shërbimi i përbashkët vazhdon të formësojë paqen dhe sigurinë në Kosovë,” tha ambasadori në përfundim të vizitës.
Gjermania është ndër kontribuuesit më të mëdhenj në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe mbështetjen e saj për stabilitetin rajonal e ka konfirmuar vazhdimisht përmes pjesëmarrjes aktive në misionet paqeruajtëse dhe partneritetin politik me institucionet e Kosovës.