Ish-kryeministri suedez dhe diplomati me përvojë në çështjet e Ballkanit, Carl Bildt, ka reaguar përmes një postimi në platformën “X” (ish-Twitter), duke shprehur shqetësimin e tij për krizën politike në Kosovë dhe pasojat e saj në nivel ndërkombëtar.
Në postimin e tij, Bildt pyet nëse Kosova do të arrijë ndonjëherë të formojë një qeveri të re, duke nënvizuar se ngërçi aktual politik po dëmton seriozisht kredibilitetin e shtetit dhe po minon përpjekjet për stabilitet dhe zhvillim demokratik.
“A do të ketë ndonjëherë Kosova një qeveri të re? Pamundësia për të ecur përpara dëmtoi besueshmërinë e vendit. Dhe kjo është keq për të gjithë,” shkroi Bildt në reagimin e tij.
Ky koment vjen në një moment kritik për Kosovën, ku bllokimi institucional dhe polarizimi i thellë politik kanë paralizuar proceset demokratike dhe kanë shtyrë vendin drejt një paqartësie të rrezikshme. Mosfunksionimi i institucioneve dhe mungesa e marrëveshjeve politike po e pengojnë vendin të ecë përpara në rrugën euroatlantike dhe në përmbushjen e standardeve të kërkuara nga partnerët ndërkombëtarë.
Mesazhi i Bildt duhet të kuptohet si një thirrje serioze, jo vetëm për liderët politikë në vend, por për gjithë spektrin institucional, për të reflektuar dhe për të tejkaluar interesat e ngushta partiake në favor të stabilitetit kombëtar.
Në një kohë kur rajoni është në vëmendje të shtuar ndërkombëtare dhe kur Kosova ka nevojë për aleatë të fuqishëm përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme, ngërçi i brendshëm e vendos vendin në një pozicion të dobët dhe të paqartë.
Përgjegjësia është e drejtuesve shtetërorë, të cilët duhet të tregojnë pjekuri politike dhe vizion institucional për të zhbllokuar situatën dhe për të rikthyer funksionimin normal të shtetit. Në të kundërtën, do të jetë e vështirë për Kosovën të kërkojë besim ndërkombëtar kur nuk arrin të garantojë stabilitet të brendshëm.