Ish-kampioni botëror në peshën e rëndë, Tyson Fury, nuk e ka thënë fjalën e fundit ndaj Oleksandr Usyk.
Edhe pse është tërhequr nga boksi pas humbjes së dytë ndaj ukrainasit në dhjetor, ylli britanik beson fort se është i vetmi që mund të ndalë dominimin e Usykut.
Usyk, i cili së fundi u shpall për herë të dytë kampion i padiskutueshëm në Divizionin e peshave të rënda, fitoi me nokaut në “Wembley” ndaj Daniel Dubois, duke konfirmuar statusin e tij si boksier i pamposhtur. Por Fury nuk e pranon këtë realitet si përfundimtar.
“Përshëndetje për Oleksandr Usyk. Ai bëri një performancë fantastike ndaj Daniel Dubois, një djalosh i mirë dhe i ri. Urime të dyve, por Usyk e di se ka vetëm një njeri që mund ta mposhtë atë. Unë e kam bërë dy herë më parë dhe bota e di këtë”, ka shkruar Fury në Instagram.
Përkundër humbjeve me pikë në të dy përballjet e fundit ndaj Usykut, Fury nuk i pranon si të drejta ato rezultate dhe vazhdon të insistojë se ishte fituesi i vërtetë.
Edhe pse u tërhoq nga sporti pas ndeshjes së dytë, Fury ka nisur stërvitjet intensive. Në rrjetet sociale, ai ka ndarë video dhe foto nga palestra, nën drejtimin e trajnerit të njohur SugarHill Steward, ku shfaqet në formë të mirë fizike dhe i motivuar.
“Jam duke vrapuar në rrugë. U ktheva në shtëpi. E bëra punën time dhe e mora veten përsëri. Unë jam burri. Pavarësisht se çfarë do të thotë dikush, unë i fitova ato ndeshje, të garantuara, 100%”, ka pohuar ai

