Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj vendimeve të fundit të trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat, sipas tyre, cenojnë seriozisht të drejtën për një proces të drejtë dhe barazi procedurale për të akuzuarit.
Në një komunikatë për media, OVL-UÇK e ka cilësuar situatën si një sulm të strukturuar procedural ndaj së vërtetës për luftën çlirimtare të popullit të Kosovës.
“Sipas avokatëve mbrojtës, koha për përgatitje të mbrojtjes është shkurtuar në mënyrë drastike, pa paralajmërim dhe pa dëgjuar fare qëndrimet e mbrojtjes. Derisa Prokuroria ka pasur në dispozicion mbi 10 vjet për përgatitje, mbrojtjes i janë dhënë vetëm 4 javë, gjë që përbën një disproporcion të papranueshëm dhe shkelje të parimeve themelore të drejtësisë”, thuhet në reagim.
OVL-UÇK ka theksuar se një qasje e tillë proceduralisht e njëanshme rrënon çdo iluzion për një proces të drejtë ndërkombëtar, duke e transformuar atë në një platformë të padrejtësisë së strukturuar kundër atyre që kishin rol në luftën për çlirim.
Për këtë arsye, organizata u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian dhe misionet mbikëqyrëse të drejtësisë, që të ndërhyjnë dhe të rikthejnë barazinë procedurale, si dhe të garantojnë respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.
Ky reagim vjen në një moment kritik të procesit gjyqësor në Hagë, ku mbrojtja e të akuzuarve për krime lufte pritet të nisë paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve në një afat kohor që po cilësohet si i pamjaftueshëm dhe i padrejtë.