Punë nga shtëpia dhe orar i lehtësuar – MSh jep rekomandime për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta

by informim peje

Përballë temperaturave përvëluese që pritet të mbizotërojnë në vend gjatë periudhës 22 – 25 korrik 2025, Ministria e Shëndetësisë (MSh) ka dalë me një paketë rekomandimesh për institucionet publike dhe private, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve.

Në njoftimin e publikuar, MSh bazohet në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), duke theksuar se temperaturat e larta paraqesin rrezik të shtuar sidomos për grupet më të ndjeshme të popullsisë, si fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me sëmundje kronike. Rreziku është edhe më i madh për punëtorët që ushtrojnë veprimtari në ambiente të hapura ose në hapësira pune me nxehtësi të lartë.

banner

Një nga rekomandimet kryesore është “mundësia e punës nga shtëpia”, aty ku natyra e punës e lejon. Po ashtu, institucionet ftohen të aplikojnë orare më të lehtësuara ose fleksibile, si dhe të shmangin punën fizike në kulmin e vapës, në mënyrë që të reduktohet ekspozimi ndaj rrezeve të diellit dhe të shmangen rastet e goditjes nga nxehtësia.

MSh i bën thirrje të gjitha institucioneve të respektojnë me përpikëri këto masa, duke theksuar se shëndeti dhe siguria e punëtorëve duhet të jenë prioritet gjatë kësaj vale të të nxehtit ekstrem. Ajo nënvizon se ndërgjegjësimi dhe veprimi i shpejtë në raste të tilla është thelbësor për të shmangur pasojat serioze për shëndetin publik.

Ky reagim vjen në një kohë kur temperaturat në Kosovë pritet të kalojnë mbi 38°C, duke shtuar shqetësimin për mirëqenien e qytetarëve dhe nevojën për kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë orëve të mesditës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy