SPAK e mori të pandehur/ Reagojnë avokatët e Veliajt: E mori vesh nga mediat. Zbulimi i të dhënave hetimore, taktikë për ta paragjykuar publikisht

by Nexhat

Ekipi ligjor i Erion Veliajt ka reaguar pas lajmeve se nesër kryebashkiakut i komunikohen zyrtarisht akuzat dhe merret i pandehur. Sipas tyre, rrjedhja e lajmit në media pa u njoftuar Veliaj apo avokatët e tij, është një fushatë e orkestruar për ta paragjykuar në publik

Në një deklaratë, avokatët e tij thonë se edhe për takimin e parashikuar për nesër me SPAK-un, mediat janë vënë në dijeni përpara vetë Veliajt, çka sipas tyre përbën një tjetër provë të manipulimit të opinionit publik dhe shkeljes së sekretit hetimor

banner

Ata kërkojnë hetim për rrjedhjet e informacionit dhe theksojnë se Veliaj do të sfidojë çdo akuzë me prova dhe argumente ligjore.

Reagimi i plotë:

“Jemi thellësisht të shqetësuar që, praktika e nxjerrjes së informacioneve mbi procedurat e çështjes penale të z. Veliaj, vijon edhe në rrethanat e një takimi të prezumuar që do të mbahet nesër mes avokatëve të tij dhe SPAK-ut. Njoftimi i medias apo marrja e informacionit nga ana e medias përpara se vetë personit nën hetim, z. Veliaj, është një provë tjetër e faktit që kjo është një taktikë jo ligjore e prokurorisë për të sugjeruar në publik fajësinë e z. Veliaj.

Zbulimi i përsëritur dhe i paligjshëm i informacioneve që përbëjnë sekret hetimor mbi çështjen e z. Veliaj ka vijuar pa ndërprerje që nga dita e arrestimit të tij, në një përpjekje të qëllimshme për ta paragjykuar. Mosfillimi i asnjë procedimi penal nga ana e Prokurorisë së Posaçme për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a (“Zbulimi i akteve ose dhe të dhënave sekrete”) i Kodit Penal, tregon qartë bashkëpunimin e këtij organi në realizimin e kësaj vepre penale.

Siç jemi njohur nga mediat e “SPAK”, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit nga SPAK, 163 ditë pas arrestimit të z. Veliaj, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij.

Z. Veliaj kundërshton me forcë çdo akuzë për shkelje dhe vijon të theksojë bindjen e tij se ndalimi i zgjatur, i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional është në dëm të rëndë jo vetëm të të drejtave të tij kushtetuese si qytetar i këtij vendi, por edhe në dëm të rëndë të qytetarëve të Tiranës që kanë zgjedhur qeverisjen e qytetit dhe të vetë qytetit të Tiranës, që ka nevojën imediate të qeveriset nga kryetari i zgjedhur.

Reagim i ekipit ligjor të z. Veliaj:

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy