Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka folur shkurt para fillimit të seancës së 51-të konstituive, duke konfirmuar se i është dërguar një ofertë zyrtare kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
E pyetur nga gazetarët nëse ekziston një marrëveshje me Limajn, Haxhiu u përgjigj shkurt:
“Po presim, ia kemi dërguar ofertën”.
Deklarata e saj vjen në vazhdën e negociatave intensive që po zhvillohen për të siguruar shumicën parlamentare dhe zgjedhjen e kryesisë së re të Kuvendit, pas zgjedhjeve të fundit që nuk prodhuan një fitues të qartë me shumicë absolute.
Kurti: Ofertë për Limajn, jemi optimistë për marrëveshje
Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka konfirmuar më herët gjatë një konference për media se Nismës i është adresuar një ofertë konkrete, pa dhënë detaje për përmbajtjen e saj.
“Po, i kemi bërë një ofertë zotit Limaj. Jemi optimistë që mund të arrijmë një marrëveshje deri në fund të kësaj jave. Janë planifikuar edhe takime të tjera,” tha Kurti para disa ditësh.
Negociatat, në pikën kyçe për formimin e institucioneve
Nisma Socialdemokrate, e udhëhequr nga Fatmir Limaj, mund të luajë rol kyç në përcaktimin e shumicës parlamentare, në një Kuvend të fragmentuar ku asnjë subjekt nuk e ka të garantuar kontrollin institucional pa aleanca të reja.
Me bllokadën aktuale për zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit, çdo lëvizje politike në ditët në vijim mund të jetë vendimtare për krijimin e institucioneve të reja dhe vazhdimin e procesit të konstituimit të qeverisë.