Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar me indinjatë pas vdekjes tragjike të katër punëtorëve brenda një jave në vendin e punës, duke ngushëlluar familjet e viktimave dhe duke kritikuar ashpër neglizhencën institucionale për sigurinë në punë.
Në një postim në rrjetet sociale, Bajrami ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjet që humbën të afërmit në rrethana aksidentale gjatë kryerjes së detyrave të punës.
“Pa dashur t’i politizoj këto raste, ndjej detyrim të theksoj se secili prej nesh duhet të ndjejë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhen punëtorët në Kosovë, për pasigurinë dhe rrezikun që i shoqëron çdo ditë kur nisen për në punë,” ka shkruar Bajrami.
Deputetja opozitare ka kritikuar qeverinë dhe institucionet përgjegjëse për mungesë të veprimit dhe mbikëqyrjes, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për të shmangur tragjedi të tjera.
“U bëj thirrje të gjitha institucioneve të Republikës, përfshirë inspektoratet shtetërore dhe komunale, si dhe Prokurorinë, që të veprojnë menjëherë. Duhet të mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kanë dështuar të ndërmarrin masa për të parandaluar këto tragjedi,” ka deklaruar ajo.
Bajrami ka kujtuar se jeta nuk mund të kthehet, por institucionet kanë detyrim ligjor dhe moral të parandalojnë humbjen e saj përmes veprimit konkret dhe ndëshkimit të atyre që nuk respektojnë ligjin.
Ky reagim vjen në një kohë kur numri i aksidenteve fatale në vendin e punës po rritet, ndërsa inspektimet dhe masat mbrojtëse mbeten minimale, shpesh të kufizuara në letra apo reagime pas-ngjarjes.
Organizatat sindikale dhe ekspertët e fushës kanë ngritur vazhdimisht alarmin për mungesën e standardeve të sigurisë në sektorin privat, veçanërisht në ndërtimtari dhe prodhim, ku punëtorët shpesh punojnë në kushte të rrezikshme dhe pa mbikëqyrje të duhur ligjore.