Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj kërkesës së Presidentes së vendit për interpretim nga Gjykata Kushtetuese, duke ngritur disa dilema ligjore dhe institucionale mbi kohën dhe natyrën e kërkesës. Sipas KDI-së, pyetja e parashtruar për interpretim – se “çfarë ndodh pas 30 ditësh” në rast të monskonstituimit të Kuvendit – do të duhej të ishte adresuar shumë më herët.
Në një komunikatë për media, KDI thekson se mosqartësimi i këtij aspekti juridik menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit të mëhershëm ka lënë hapësirë për paqartësi dhe interpretime të lira mbi pasojat e mundshme.
“Fillimisht, është e paqartë se ku qëndron pretendimi për ‘konflikt të kompetencave’ mes Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë në këtë moment, përderisa afati ende nuk ka përfunduar, dhe Kuvendi ka ende hapësirë për të përmbushur detyrimin e tij për konstituim,” thuhet në reagimin e KDI-së.
Sipas këtij instituti, kërkesa e paraqitur vetëm pak ditë para përfundimit të afatit kushtetues 30-ditor krijon perceptimin e një paragjykimi ndaj procesit dhe një mungese besimi në funksionimin e institucioneve demokratike, veçanërisht të Kuvendit dhe përfaqësuesve të zgjedhur.
Pjesë tjetër e debatit është edhe kërkesa e Presidentes për vendosjen e një mase të përkohshme – pezullimin e afatit 30-ditor deri në interpretimin e Kushtetueses. KDI e konsideron këtë kërkesë të paarsyeshme dhe me pasoja politike.
“Kjo masë iu mundëson ‘komoditet’ subjekteve parlamentare për të mos vepruar dhe për të shmangur përgjegjësinë kushtetuese,” theksohet në deklaratë.
Instituti rikujton se aktgjykimi i 26 qershorit ka qenë i qartë dhe i detyrueshëm: Kuvendi ka afat 30 ditë për konstituim, dhe çdo tejkalim përbën shkelje të rendit kushtetues.
“Mosrespektimi i afatit përbën një dështim për të përmbushur një detyrim themelor kushtetues,” përfundon KDI.
Kërkesa e Presidentes në Kushtetuese ka nxitur diskutime të gjera në opinionin publik dhe juridik, ndërsa vendimi i Gjykatës pritet me interes të madh, për shkak të ndikimit që mund të ketë në rrjedhën e funksionimit institucional të vendit.