Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se Kosova ka nënshkruar një Deklaratë të Qëllimit me Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Belgjikës, përmes së cilës synohet thellimi i marrëdhënieve bilaterale në fushën e mbrojtjes.
Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale, Maqedonci thekson se ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, në veçanti në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe shkëmbimin e përvojave ushtarake.
“Sot, me kënaqësi njoftoj se kemi nënshkruar Deklaratën e Qëllimit me Ministrin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Belgjikës. Ky është një hap i rëndësishëm për thellimin e marrëdhënieve tona bilaterale në fushën e mbrojtjes,” ka shkruar ministri Maqedonci.
Sipas tij, dokumenti përcakton angazhimin e të dy palëve për:
- Zhvillimin e industrisë së mbrojtjes,
- Lehtësimin e shkëmbimeve profesionale dhe teknike,
- Forcimin e lidhjeve ushtarake,
- Përballimin e sfidave të përbashkëta në siguri dhe mbrojtje.
Nënshkrimi i këtij memorandumi vjen në vazhdën e përpjekjeve të Kosovës për të konsoliduar partneritetet ndërkombëtare në fushën e sigurisë, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe rritjes së bashkëpunimit me vendet anëtare të NATO-s.
Ky zhvillim pritet të ndikojë pozitivisht në pozicionimin e Kosovës në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe në zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë të qëndrueshëm si Belgjika.