Prishtinë, 23 korrik 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka filluar zyrtarisht periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025 në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Në këto zgjedhje do të votohet për Kryetarët e Komunave dhe anëtarët e Kuvendeve Komunale, ndërsa diaspora kosovare ka të drejtë të votojë përmes postës, sipas rregullave të përcaktuara nga legjislacioni zgjedhor në fuqi.
Detajet e regjistrimit:
Afati për regjistrim – Nga 23 korrik deri më 29 gusht 2025 (38 ditë)
Kush mund të aplikojë – Të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, të cilët plotësojnë kriteret ligjore për të votuar.
Metodat e aplikimit për regjistrim:
Online përmes platformës elektronike të KQZ-së:
Linku per aplikim: https://diaspora.kqz-ks.org
Përmes postës, duke dërguar dokumentacionin e kërkuar në adresën zyrtare të KQZ-së në Kosovë.
KQZ ka sqaruar se, në Zgjedhjet Lokale nuk lejohet votimi nëpër përfaqësi diplomatike, siç ndodh në zgjedhjet nacionale.
“Për dallim nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në Zgjedhjet Lokale votimi jashtë vendit realizohet vetëm përmes postës,” thuhet në njoftimin zyrtar të KQZ-së.
Periudha e votimit përmes postës
Data e nisjes së votimit me postë: 17 shtator 2025
Afati i fundit për pranimin e votave: 11 tetor 2025
Vetëm aplikuesit që do të jenë të regjistruar me sukses si votues jashtë vendit deri më 29 gusht, do të kenë të drejtë të dërgojnë fletëvotimin e tyre përmes postës.