Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të suksesshëm në qytetin e Pejës, ku ka arrestuar në flagrancë katër persona të dyshuar për veprën penale të detyrimit.
Sipas komunikatës zyrtare të Policisë, të dyshuarit kishin ushtruar forma të ndryshme të kanosjes ndaj viktimës, duke i pamundësuar atij shfrytëzimin faktik të pronës që ai kishte blerë në mënyrë të ligjshme.
“Për ta lejuar viktimën që ta shfrytëzojë pronën e tij të blerë në formë të ligjshme, kanë detyruar të njëjtin që të veprojë kundër pasurisë së tij, përkatësisht duke e detyruar të paguajë shumën prej 30.000 euro, në mënyrë që t’i mundësohet posedimi faktik i pronës,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Operacioni është zhvilluar me sukses dhe të dyshuarit janë arrestuar në momentin e ndërmarrjes së veprës penale.
Pas intervistimit në stacionin policor dhe shqyrtimit të fakteve, Prokuroria Themelore në Pejë ka lëshuar aktvendim për ndalimin e katër personave të dyshuar për një afat prej 48 orësh.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë me qëllim të identifikimit të të gjitha rrethanave dhe personave eventualisht të përfshirë në këtë vepër.