Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës dhe sindikatat e pavarura të RTK-së kanë kërkuar edhe një herë nga Qeveria e Kosovës që ta alokojë buxhetin e paraparë për gjashtëmujorin e dytë të transmetuesit publik. Dy sindikatat e RTK-së kanë kërkuar mbështetje dhe nga Federata e Gazetarëve Evropianë, por edhe nga ambasadat mike të Kosovës. Thirrje Qeverisë i kanë bërë edhe partitë politike si PDK, LDK dhe AAK.
Rreth 700 punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës do të mbesin pa paga në rast se nuk gjendet zgjidhje për tejkalimi e krizës financiare në Televizionin Publik.
Situata aktuale me të cilën po përballet mediumi i vetëm publik ka nxitur shqetësime e reagime të mëdha.
Sindikata e Punëtorëve e RTK-së ka njoftuar përfaqësitë diplomatike dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve për kolapsin financiar në RTK. Televizioni Publik ndodhet përballë një kolapsi financiar, si pasojë e mosalokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, gjë që rrezikon funksionimin e rregullt të institucionit dhe punën e qindra punonjësve të RTK-së.
Edhe kryesia e Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës i ka dërguar letër publike të hapur për krizën nëpër të cilën po kalon RTK, ambasadave të akredituara dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë, duke njoftuar se mosalokimi i pjesës së dytë të buxhetit për vitin aktual ka krijuar një situatë që po kërcënon jo vetëm ekzistencën e RTK-së, por edhe mirëqenien ekonomike të rreth 700 familjeve, që varen drejtpërdrejt nga ky institucion.
Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë me zhvillimet që lidhen me transmetuesin publik të Kosovës, RTK. Në reagimin e AGK-së thuhet se paralajmërimi që brenda pak ditësh RTK do të mbetet pa financim dhe nuk do të jetë në gjendje të paguajë të punësuarit e saj për muajin korrik, është alarmues. AGK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për vazhdimin e financimit të RTK-së, në mungesë të funksionimit të Kuvendit.
Lidhur me krizën aktuale kanë reaguar edhe kryetarët e partive opozitare në vend.
Drejtuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë kërkuar alokimin mjeteve të RTK-së, por kanë kritikuar Televizionin Publik për mbështetjen sipas tyre, që ia ka dhënë Vetëvendosjes.
“Ata në Qeveri janë tu marr vendim të ligjshme .. në raste të emergjencës besoj që lejohet…Mendoj që adresën e kanë qartë, është Qeveria në detyrë e janë në shërbim të tyre edhe udhëheqësit e këtij televizioni, kështu që i marrin parasysh…” deklaroi Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.
Ndërsa Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së tha se përveç RTK-së që është e bllokuar, në bllokadë janë të gjitha komunat ku udhëheq LDK.
“A e dini ju që kryeqyteti është i bllokuar me vendim të Ministrisë së Financave dhe kryeministrit Kurti, i cili ka bllokuar financat e Prishtinës, Pejës… Kjo qasje destruktive e një pushteti që do të bllokojë gjithçka ka sjell një gjendje të përplasjes së tillë patjetër edhe në RTK”, tha ai.
E Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së e konsideron jo në rregull ndaljen e buxhetit për RTK-në.
“S’është në rregull që transmetuesi i vetëm publik që financohet nga parlamenti i vendit të mbetet pa buxhet, Kjo mundet me u interpretuar si një lloj shantazhi e kërcënimi ndaj politikave redaktuese dhe gjithçka tjetër…”, deklaroi Haradinaj.
E për këtë përmes një postimin në Facebook ka reaguar drejtorit i Televizionit, Rilind Gërvalla.
Gërvalla ka thënë se si drejtor programor në RTK e ka për detyrë mbamendjen, zhvillimin cilësor të programacionit, mbrojtjen e të drejtës së prodhuesve të emisioneve dhe bashkëpunimin me kolegët, qofshin ata/ato familjare të bashkëpartiakëve të këtyre liderëve, por jo edhe komentimin e çdo deklarate të politikanëve apo këshilltarëve të tyre, që kanë kërkuar dhe kërkojnë mbylljen e mediumeve publike

