Rei Manaj është shumë pranë një transferimi të bujshëm në Lindjen e Mesme. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare pritet të nënshkruajë me klubin Sharjah FC nga Emiratet e Bashkuara Arabe, duke mbyllur kështu aventurën e tij në Turqi me Sivasporin.
Sipas burimeve pranë negociatave, Sharjah FC ka arritur marrëveshje me Sivasporin për kartonin e Manajt, në një operacion që kap vlerën e afro 2 milionë eurove. Largimi i sulmuesit nga ekipi turk u përshpejtua pas rënies së Sivasporit nga kategoria dhe përplasjeve të brendshme në fundin e sezonit.
Por ajo që bie më shumë në sy është paga e majme që do të përfitojë Manaj në klubin e ri. Kontrata e tij pritet të përfshijë një pagë vjetore prej 2.5 milionë euro neto, duke e pozicionuar atë mes futbollistëve më të paguar në historinë e Kombëtares shqiptare.
Në këtë listë elitare pagash qëndrojnë edhe emra si Elseid Hysaj dhe Mirlind Daku, të cilët, sipas raportimeve të fundit, përfitojnë shuma që i afrohen 3 milionë eurove në vit.
Rei Manaj, i cili ka kaluar më parë edhe në kampionate si Serie A dhe La Liga, është një nga lojtarët më me përvojë në sulmin kuqezi. Ky transferim jo vetëm që i jep një siguri financiare të lartë, por edhe e vendos atë në qendër të projektit sportiv të Sharjah FC, një ekip me ambicie në kampionatin e Emirateve.
Pritet që transferimi të zyrtarizohet brenda ditëve në vijim, pas përfundimit të detajeve të fundit të kontratës.