Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka paralajmëruar për një situatë alarmante financiare në transmetuesin publik, duke njoftuar se ka kontaktuar ambasadat e shteteve të huaja në Kosovë, si dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), për t’i informuar zyrtarisht mbi rrezikun që po i kanoset RTK-së.
Sipas njoftimit të sindikatës, RTK po përballet me një kolaps financiar të mundshëm, si pasojë e mos alokimit të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025. Kjo situatë, sipas SPERTK-së, rrezikon seriozisht funksionimin e rregullt të institucionit, punën dhe pagat e qindra punonjësve, si dhe vetë misionin publik të RTK-së, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Mosveprimi i institucioneve shtetërore po e vë në rrezik serioz të ardhmen e transmetuesit publik”, thuhet në deklaratën e SPERTK-së, duke shtuar se ka kërkuar nga të gjithë faktorët vendimmarrës që urgjentisht të zhbllokohet buxheti dhe të garantohet vazhdimësia e punës në RTK.
Sindikata i ka bërë thirrje opinionit publik, institucioneve shtetërore dhe mediave që të qëndrojnë të informuara dhe të bashkohen në mbështetje të transmetuesit publik, të cilin e cilëson si një aset të përbashkët të qytetarëve dhe të demokracisë në vend.