Haradinaj u bën thirrje mërgimtarëve: Regjistrohuni për zgjedhjet komunale – zëri juaj ka rëndësi!

by engel

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas hapjes së afatit për regjistrimin e votuesve jashtë vendit për Zgjedhjet Komunale 2025. Në një deklaratë publike, Haradinaj ka ftuar të gjithë mërgimtarët që të shfrytëzojnë këtë të drejtë demokratike dhe të përfshihen në procesin zgjedhor.

“Dje ka filluar afati për regjistrimin e votuesve jashtë vendit për Zgjedhjet Komunale 2025, i cili do të zgjasë deri më 25 gusht 2025”, ka theksuar ai.

banner

Haradinaj ka theksuar rëndësinë e votës së mërgatës në përcaktimin e drejtimit që do të marrin komunat në Kosovë, duke përmendur kontributin e vazhdueshëm të saj në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit.

“Ju ftoj që ta shfrytëzoni të drejtën tuaj për të votuar, sepse zëri juaj ka rëndësi dhe vendimmarrja juaj ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e komunave tona”, ka shtuar lideri i AAK-së.

Ai ka sqaruar se procesi i regjistrimit është individual dhe mund të realizohet përmes platformës elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Ky apel i Haradinajt vjen në një kohë kur pritet një angazhim më i madh i diasporës në proceset politike në Kosovë, sidomos në nivelin lokal, ku vendimet prekin drejtpërdrejt komunitetet dhe familjet që ende jetojnë në vend. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon që në këto zgjedhje të rrisë përfaqësimin dhe ndikimin në nivel komunal, me mbështetje të fuqishme edhe nga diaspora.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy