Klinë, 24 korrik 2025 – Në një atmosferë të gjallë bashkëpunimi dhe dialogu ndërinstitucional, në ambientet e restaurant “Ujana” në Klinë u mbajt Konferenca Rajonale e Turizmit, në kuadër të projektit ndërkufitar i mbështetur nga Bashkimi Evropian “Rilindja Kulturore nga Liqeni i Shkodrës në Kosovë (Udhëtim në Kohë)”.
Ngjarja u organizua nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) në bashkëpunim me Komunën e Klinës, Qendrën për Iniciativat e Turizmit të Qëndrueshëm (CSTI) dhe Organizatën Kombëtare të Turizmit të Malit të Zi (NTO), si pjesë e një iniciative më të gjerë për të promovuar turizmin kulturor dhe bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.
Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, ekspertë të turizmit dhe trashëgimisë kulturore, organizata të shoqërisë civile dhe akademikë nga të dy vendet, duke shërbyer si një platformë strategjike për diskutimin e modeleve të reja dhe qasjeve të qëndrueshme në zhvillimin e turizmit kulturor.
Nën moton “Forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit kulturor”, programi i konferencës përfshiu:
– Prezentimin e projektit “Udhëtim në Kohë” dhe shtigjeve tematike që po zhvillohen në rajonet përkatëse të Kosovës dhe Malit të Zi;
– Promovimin e trashëgimisë kulturore në Klinë dhe Mal të Zi, përfshirë lokalitetet me rëndësi historike dhe arkeologjike;
– Diskutimin për rolin e lokalitetit arkeologjik të Drsnikut dhe integrimin e tij në zhvillimin lokal si aset turistik;
– Strategjitë e promovimit të produkteve turistike nga NTO e Malit të Zi;
– Prezentimin e Strategjisë së Turizmit të Komunës së Klinës si udhërrëfyes për zhvillimin e sektorit në nivel lokal;
– Nismat akademike për zhvillimin e kurrikulës për turizmin nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë.
Një nga kulmet e konferencës ishte prezantimi i produktit të ri të turizmit kulturor-historik “Udhëtim në Kohë”, i cili synon të ofrojë një përvojë gjithëpërfshirëse për vizitorët përmes rrëfimeve dhe destinacioneve të trashëgimisë historike në të dy anët e kufirit.
Konferenca u mbyll me një drekë partneriteti, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të thellojnë bashkëpunimin dhe të ndërtojnë ura për projekte të përbashkëta në të ardhmen.
Projekti “Rilindja Kulturore nga Liqeni i Shkodrës në Kosovë (Udhëtim në Kohë)” po zbatohet në kuadër të programit të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Kosovë, përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit (IPA) të Bashkimit Evropian. Projekti nisi më 1 mars 2023 dhe do të zgjasë për një periudhë 30-mujore, me qëllim të fuqizojë zhvillimin kulturor dhe turistik në zonat përfituese.



