Një deklaratë tronditëse nga ministri izraelit i Trashëgimisë, Amichai Eliyahu, ka ngritur alarmin ndërkombëtar për retorikën ekstreme që po përdoret kundër popullsisë palestineze në Gaza. Ministri i ekstremit të djathtë ka thënë se qeveria e tij është “në garë me kohën për ta zhdukur Gazën dhe popullsinë palestineze”, duke shtuar se qëllimi është që territori të bëhet “plotësisht hebraik”.
“Qeveria po garon për ta zhdukur Gazën. Jemi duke eliminuar këtë të keqe. Po i eliminojmë banorët e saj,” deklaroi Eliyahu në një intervistë për radion izraelite Kol Barama.
Eliyahu është anëtar i partisë ultranacionaliste Otzma Yehudit (Fuqia Hebraike), e cila udhëhiqet nga ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, një tjetër figurë e njohur për retorikën ekstreme dhe raciste kundër palestinezëve.
Në deklaratat e tij, ministri injoroi plotësisht krizën humanitare në Gaza, duke thënë:
“Nuk kemi pse të merremi me urinë në Gaza.”
Ai gjithashtu sulmoi figurat opozitare në Izrael që janë kritikë ndaj qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke i quajtur “të sëmurë” dhe të shkëputur nga realiteti i popullit izraelit.
“Këta njerëz të sëmurë si Yair Golan dhe Ehud Olmert kanë humbur identitetin e tyre dhe nuk e mbështesin më popullin e Izraelit,” shtoi ai.
Që nga tetori i vitit 2023, ofensiva ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës ka rezultuar me vrasjen e mbi 59,200 palestinezëve, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë. Lufta ka shkatërruar infrastrukturën, ka rrëzuar sistemin shëndetësor dhe ka shkaktuar mungesë të rëndë ushqimi në enklavën palestineze.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Po ashtu, Izraeli përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), ndërsa komuniteti ndërkombëtar po rrit presionin për t’i dhënë fund sulmeve dhe për të mbrojtur civilët palestinezë.
Reagimet ndaj deklaratës së Eliyahu-t janë në rritje, me organizata ndërkombëtare dhe zëra politikë që kërkojnë hetime për nxitje të urrejtjes dhe thirrje për spastrim etnik./TRT Global