Deputetja e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli, është detyruar të reagojë për herë të dytë lidhur me përfitimin e 52 mijë eurove nga organizata “Defy Them”, të cilën e ka bashkëthemeluar bashkëshorti i saj, Ilir Dalipi.
Në reagimin e saj të fundit, Pacolli mundohet të zbusë lidhjen familjare me përfitimet nga fondet publike, duke theksuar se bashkëshorti i saj “ka qenë bashkëthemelues, por nuk është më pjesë e organizatës”. Por pyetja kryesore që lind tani është: kur është larguar Ilir Dalipi nga organizata dhe pse nuk u tregua menjëherë e vërteta por u desht të bëhet në reagimin e dytë!?
Pavarësisht pohimeve të Pacollit, fakti mbetet se Ilir Dalipi ka qenë në themel të një organizate që ka përfituar dhjetëra mijëra euro nga MKRS. Për më tepër, deri tani asnjë dokument nuk është bërë publik për të dëshmuar datën dhe mënyrën e largimit të tij nga bordi apo roli drejtues.
Në mungesë të transparencës, ky reagim i deputetes Pacolli më shumë ngjason me tentativë për të shpëtuar imazhin publik, sesa me sqarim të vërtetë për një çështje me përmasa etike dhe politike.
Fakti që Dalipi është bashkëthemelues e jo ndonjë anëtar i zakonshëm, e bën të pashmangshme përgjegjësinë – së paku morale – për mënyrën se si organizata ka përfituar nga buxheti publik. Lidhja familjare me një deputete të zgjedhur e bën këtë çështje edhe më problematike për standardet që Vetëvendosje pretendon t’i mbrojë.
Për më tepër, organizata jo vetëm që ka marrë fonde, por edhe një objekt publik në bashkëmenaxhim – një favor institucional që shpeshherë kërkon ndikim dhe akses në rrjete pushteti.
Në përpjekje për t’u distancuar edhe më tej, Pacolli thekson se Komuna e Prishtinës “nuk udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje”. Ky është një arsyetim që mund të tingëllojë teknikisht korrekt, por nuk e zhbën konfliktin e interesit. Nëse çdo organizatë me lidhje familjare me zyrtarë të lartë do të përfitonte për shkak të mos-udhëheqjes nga partia e tyre, do të krijohej një precedent i rrezikshëm dhe një shtresë e re klientelizmi politik dhe kulturor.
Ajo që mungon plotësisht në këtë çështje është një hetim i pavarur institucional, qoftë nga organet mbikëqyrëse të financimeve publike, qoftë nga vetë VV-ja, e cila shpesh është thirrur në moralin e lartë politik.
Në një demokraci funksionale, deklarata si ajo e Pacollit nuk do të mjaftonin. Do të pasohej me dorëheqje, hetime të brendshme, ose të paktën pezullim të financimeve për organizatat me lidhje familjare me zyrtarë të zgjedhur.