Reagim i ashpër ndaj ZRRE-së – Deputetja Bajrami: “Po sakrifikoni shtetin për fitimet e tregtarëve të energjisë”

by engel

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), pas një thirrjeje që kjo e fundit e ka bërë ndaj bizneseve për të lidhur kontrata me operatorë privatë të furnizimit me energji.

Në një reagim të publikuar, Bajrami e ka cilësuar thirrjen e ZRRE-së si “skandaloze” dhe të papërgjegjshme, sidomos në kushtet aktuale kur sipas saj, vetë Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk ka arritur ende të faturojë bizneset për muajin qershor.

banner

“Si mund t’u bëni thirrje bizneseve të lidhin kontrata me operatorë privatë, kur KEK-u nuk i ka dërguar ende faturat për muajin qershor? A keni ju ndonjë përgjegjësi për këtë?” – ka pyetur ajo publikisht ZRRE-në.

Sipas Bajramit, pas daljes së bizneseve në tregun e lirë më 1 qershor, importi i energjisë është rritur tetëfish dhe kjo po krijon pasiguri të madhe në sektorin privat, i cili nuk e di ende se sa do të jenë faturat e muajve të kaluar – një pasiguri që mund të ndikojë drejtpërdrejt në vazhdimin e operimit të tyre.

“Ju po injoroni realitetin e bizneseve dhe bëni thirrje absurde pa asnjë fije përgjegjësie. Çka do të ndodhë më 1 gusht me ato biznese që nuk kanë arritur të lidhin kontratë? Do t’i lini pa rrymë, do t’i mbyllni, apo do t’i nxirrni mbi 100 mijë punëtorë në rrugë?” – ka shtuar ajo me tone të ashpra.

Deputetja ka hedhur dyshime edhe mbi pretendimet e ZRRE-së se gjykatat i kanë dhënë të drejtë në vendimmarrjet e saj, duke përmendur se në realitet, “dhjetëra vendime të Gjykatës Komerciale janë në favor të bizneseve, jo të ZRRE-së.”

Ajo ka përmbyllur reagimin duke i bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetime për tërë “zinxhirin vendimmarrës në sektorin e energjisë”, duke akuzuar për lidhje të mundshme të operatorëve privatë me pushtetin dhe përfitime në kurriz të shtetit.

Ky reagim i Hykmete Bajramit vjen në një kohë kur pasiguritë në sektorin e energjisë po thellohen dhe një pjesë e bizneseve ndihen të braktisura në procesin e kalimit në tregun e lirë të energjisë. Kërkesat për përgjegjësi institucionale dhe transparencë po rriten, ndërsa tensioni mes sektorit privat dhe autoriteteve vazhdon të thellohet.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy