Një ndryshim i madh dhe i shumëpritur nga udhëtarët është në prag të zbatimit në aeroportet e Bashkimit Evropian: pas më shumë se dy dekadash kufizimi, do të lejohet sërish mbajtja e shisheve me parfume, pije alkoolike, kremra dhe lëngje të tjera në bagazhin e dorës gjatë fluturimeve.
Lajmi u bë i ditur nga Corriere della Sera, ku thuhet se masat e reja pritet të hyjnë në fuqi nga fundi i korrikut deri në gusht 2025, sapo të përfundojnë testimet teknike dhe të miratohet zyrtarisht algoritmi i ri i sigurisë nga Konferenca Evropiane e Aviacionit Civil.
Kjo do t’i japë fund kufizimit të famshëm prej 100 mililitrash për lëngje, që u vendos pas sulmeve terroriste në vitin 2006 dhe që ka qenë burim konfiskimesh dhe pakënaqësish për udhëtarët ndër vite.
Për të garantuar sigurinë, në aeroportet e BE-së po instalohet një teknologji e avancuar e skanimit 3D, që do të jetë në gjendje të detektojë saktësisht përmbajtjen e çdo lëngu, pa pasur nevojë për kufizime rigoroze.
Disa aeroporte kishin filluar testimin e kësaj teknologjie edhe më herët, por praktika u pezullua përkohësisht për shkak të nevojës për standardizim dhe verifikime të mëtejshme.
Me këtë ndryshim, udhëtarët do të mund të kalojnë më shpejt dhe më lirshëm nëpër pikat e sigurisë, duke shmangur radhët e gjata dhe konfiskimin e produkteve personale. Kremrat diellorë, parfumat, locionet, pijet, dhe produkte të tjera të përditshme do të lejohen normalisht në bagazhet e dorës.
Ky zhvillim vjen paralelisht me një tjetër lehtësi të re: rregulli i përbashkët për kilogramët e çantave të dorës që lejohen pa pagesë shtesë, duke synuar të unifikojë praktikat mes linjave ajrore dhe të reduktojë konfuzionin dhe kostot për pasagjerët.
Rregullorja e re pritet të përmirësojë ndjeshëm përvojën e udhëtimit për miliona qytetarë të BE-së dhe vizitorë ndërkombëtarë, duke modernizuar procedurat e sigurisë në përputhje me teknologjinë bashkëkohore dhe nevojat reale të pasagjerëve.