Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, është deklaruar para mediave pak para nisjes së seancës së 52-të konstituive, duke shprehur besim se procesi i konstituimit mund të përmbyllet brenda afatit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, i cili përfundon më 26 korrik, në mesnatë.
“Ende ka kohë. Seanca e sotme është shumë e rëndësishme, por nëse nuk përmbyllet sot, mund të vazhdojmë edhe në mbrëmje apo nesër gjatë ditës – deri në mesnatë,” u shpreh Haxhiu.
Deklarata e saj vjen në një moment kritik për procesin politik në Kosovë, pasi seanca e sotme shënon tentativën e fundit për të konstituar Kuvendin, përpara se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese, që e pezullon çdo vendim të mundshëm pas këtij afati.